Mbrëmjen e djeshme, një mocion për miratimin e një rezolute ka vazhduar deri në orët e vona, ku ndër të tjera është deklaruar se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut duhet të vazhdojnë reformat.
Parlamenti Europian i ka bërë thirrje Këshillit Europian, në dritën e këtyre çështjeve dhe problemeve themelore, të ndalojë frenimin e perspektivës së negociatave të pranimit dhe të kërkojë një propozim të Komisionit për një partneritet të ri me këto vende; po kështu të monitorojë përdorimin e fondeve në Maqedoninë e Veriut dhe të sigurojë një raport të hollësishëm në Parlament; Udhëzon Presidentin e tij që t’ua përcjellë këtë rezolutë Komisionit, Këshillit, qeverive e parlamenteve të shteteve anëtare dhe qeverive e parlamenteve të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut.
Gjatë fjalës së saj, ministrja finlandeze për Çështjet Europiane, Tytti Tuppuraine, shprehu zhgënjim për vendimin e KE-së, por shtoi se do të bëhen përpjekjet për një vendim tjetër. “Duhet të them se jam shumë e zhgënjyer që dështuam të marrim një vendim të qartë dhe të qëndrueshëm javën e kaluar. Kjo mungesë unanimiteti mund të shihet si pengesë për rolin e BE-së në Ballkan dhe për politikën e zgjerimit, që mbetet një investim strategjik për paqen, qëndrueshmërinë dhe zhvillimin e Europës”, theksoi Tuppurainen.
”Megjithatë, kjo nuk do të thotë se ne do ndalojmë këtu, kjo do të thotë se duhen akoma më shumë përpjekje. “Do doja të përsërisja se Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut po bëjnë përparime konkrete për reformat”, tha ajo.
Ndërkohë, komisioneri për Zgjerimin, Johanes Hahn, pohoi se vendet e Bashkimit Europian duhet të qartësojnë sa serioz janë për integrimin. Mes të tjerash, ai theksoi se Komisioni Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
“Tani, vendet anëtare duhet të tregojnë sesa serioz është angazhimi i tyre kundrejt integrimit të Ballkanit Perendimor. Shqipëria e Maqedonia e Veriut nuk duhen akuzuar, ata bënë gjithçka që u kërkuam të bënin, anë mos më tepër”, vuri në dukje Hahn. “Janë bërë reforma mbresëlënëse në Shqipëri e Maqedoninë e Veriut, në drejtësi, në luftën kundër krimit të organizuar. Mendoj veçanërisht për Shqipërinë, ku përparimet kanë qenë mbresëlënëse. Të gjitha këto janë të bazuara në guximin për të kapërcyer pengesat, për të kapërcyer zënkat e së shkuarës”, vijoi ai.
Discussion about this post