Rreth shtatë ftesa të reja kanë arritur sot për ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Gjykata Speciale, e vetëm në 10 ditët e fundit janë mbi 50 të tilla. Kështu deklarojnë në Organizatën e Veteranëve të Luftës së UÇK-së, që sipas tyre, rreth katër persona pritet të arrestohen deri në muajin nëntor. E pas këtyre arrestimeve, në OVL-të UÇK-së nuk e përjashtojnë mundësinë e daljes në rrugë me protesta, për të kundërshtuar këto veprime.
Kohët e fundit Gjykata Speciale, ka intensifikuar punën duke dërguar ftesa për intervistim ish-pjesëtarëve të UÇK-së e edhe civilëve.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati thotë për KosovaPress se në 10 ditët e fundit ka arritur në 50 numri i të ftuarve, ku javën që shkoi ftesa ka marrë edhe Azem Syla, ndërsa sot Shaban Syla, Jetullah Krasniqi e ish-rektori Ibrahim Gashi.
“Sot kanë arritur prapë ftesa të reja, profesori i nderuar Ibrahim Gashi, sipas informacioneve edhe Shaban Syla, Jetullah Krasniqi nga Prizreni është ftuar sot, kështu që sot nëse nuk gaboj mbi shtatë ftesa janë shpërndarë vetëm në ditën e sotme e martë. Gjykata Speciale e ka shpeshtuar trendin e këtyre ftesave, mbi 40 apo 50 janë brenda javës që ka shkuar, dhe këto dy ditë, që 10 ditë janë mbi 50 ftesa që janë shpërndarë nëpër territorin e Kosovës, arsyeja nuk e dimë, shpërndarja e ftesave nuk është në mënyrën më të mirë që bëhet si një gjykatë ndërkombëtare apo që i thotë vetes se janë gjykatë e lartë, ftesat janë shpërndarë më së shumti nëpër kafene të ndryshme nëpër rrugë, qorrsokakë, nëpër çajtore…kështu që është një turp i madh i kësaj drejtësie që nuk e tregon seriozitetin e vet”, thotë Gucati.
Gucati thotë se deri në nëntor priten arrestime për rreth katër persona. Nuk deklaron se a mund të jenë komandantë apo të tjerë, veçse thotë se arrestimet janë të sigurta.
Këtë, ai thotë ta ketë mësuar nga avokatë ndërkombëtarë, të cilët kanë marrë licencë për të mbrojtur klientët e tyre.
“Dashtë Zoti unë të jem gabim, po flitet që tre-katër të arrestohen dhe me siguri vetë trendi i ftesave të shpeshta që janë, me siguri që këtë muaj tetor, fillimi i nëntorit, priten arrestime, kështu i kemi informacionet. Dashtë Zoti mos të jetë e vërtetë, por në bazë të punës dhe takimeve që i kemi pas edhe me ndërkombëtarët në zyre, vetë puna e tyre, fjalori i tyre, që kanë ardhur edhe këtu në zyre, disa pyetje që na kanë bërë ne, na kanë shti të dyshojmë që kjo punë do të ketë arrestime”, tha ai.
E nëse ndodhin këto arrestime siç po pretendohet, OVL-UÇK nuk e përjashton mundësinë që këtë ta kundërshtojnë me protesta.
“Nëse ndodhin arrestimet unë nuk e përjashtoj mundësinë e demonstratave, apo protestave, nuk përjashtohet mundësia kurrë. Edhe pse në njëfarë forme i kemi duart e lidhura, Kuvendi i Kosovës ne na i ka lidhur duart për protesta dhe demonstrata, sepse e kemi votuar, vetë shokët e mi në Parlament, ka qenë bukur një numër i madh i veteranëve aty, edhe një pjesë e komandantëve që kanë qenë aty, e kanë votuar këtë Gjykatë, tash ata na i kanë lidhur duart, por ne nuk e kemi ndërmend t’i dëgjojmë ata, dhe nuk e kemi ndërmend të merremi fort me ta. Ju e dini, në Parlament kur e kemi kundërshtuar Gjykatën Speciale, e shumë gjëra, kështu që nuk e përjashtoj mundësinë që gjithmonë mundemi me dalë edhe në rrugë, por gjithmonë me konsultat e këshillit drejtues dhe kryesisë”, tha Gucati.
Tutje, Gucati thotë se shteti i Kosovës duhet t’u qëndrojë besnikë ish-pjesëtarëve të UÇK-së, që siç i quan ai, çlirimtarë dhe t’u kryejë shpenzimet të gjithë atyre që ftohen si të dyshuar.
Ai thotë se Gjykata Speciale vazhdon të jetë e papranueshme për ta, por që nuk janë kundër drejtësisë dhe do të dëshmojnë luftën e pastër të UÇK-së.
Sipas OVL-UÇK-së, numri i të ftuarve ka arritur 110, pa llogaritur ata që nuk kanë qenë pjesëtarë të UÇK-së, apo që nuk kanë dashur të publikojnë ftesën e tyre me qëllim të ruajtjes së privatësisë. Ai thekson se shumë të tillë nuk e kanë lajmëruar ftesën e tyre.
Discussion about this post