Njëmbëdhjetë nxënës të shkollës së mesme teknike në Mitrovicë, të cilët dyshohet se janë helmuar sot gjatë mësimit duke shfaqur simptoma të djegieve të syve, pas trajtimit mjekësor në spital, janë liruar.
Ngjarja ka ndodhur sot rreth orës 10:00 në shkollën e mesme teknike ‘Arkitekt Sinani’ në Mitrovicë.
Lajmin e ka konfirmuar për KosovaPress zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.
Sipas tij, dyshohet se njëri prej nxënësve të kësaj shkolle ka spërkatur sprej gjatë pushimit në njërën prej klasave, me ç’rast ka shkaktuar djegie në sy te disa nxënës.
“Një nxënës është arrestuar sot nga policia nën dyshimin se ka përdorur sprej në njërën prej klasave të shkollës së mesme teknike, me ç’rast ka shkaktuar shqetësime shëndetësore te 11 nxënës. Ata pas trajtimit mjekësor janë liruar dhe janë në gjendje të mirë, ndërsa i dyshuari është duke u intervistuar në polici”, ka thënë Zahiti. /Gazeta Mejdani/
Discussion about this post