Ministria e Kulturës e Malit të Zi njoftoi në mes të gushtit se do të ngrijë dy aktakuza kundër pjesëtarëve të minoriteteve, për gjoja përdorimin e simboleve të shteteve të tjera në Mal të Zi. E para u njoftua kundër organizatorëve të koncertit humanitar “Për Kosovën e Metohinë tonë”, që u mbajt në Herceg Novi. Ministria pohon se në këtë manifestim janë përdorur simbolet e Serbisë dhe është përdhosur himni kombëtar i Malit të Zi. Gjithashtu, u bë një njoftim kundër organizatorëve të një ngjarje në lumin Cijevni afër Tuzit, sepse atje janë vendosur vetëm flamuj shqiptarë, por jo edhe malazezë.
Por as dy muaj më vonë ende nuk dihet nëse Ministria ka paraqitur ndonjë padi apo këto kanë qenë vetëm “kërcënime boshe”. DW ka kërkuar informata shtesë për rastet. Por thuhet se aktorët kanë bërë të ditur se gjëra të tilla nuk do të përsëriten më. Në kohën e ndodhjes së këtyre dy ngjarjeve, thuhej se organizatorët e manifestimeve të kontestuara nacionaliste kanë shkelur ligjin.
Në Mal të Zi jetojnë përveç malazezëve edhe shqiptarë, serbë, bosnjakë, myslimanë, kroatë dhe romë. Ata të gjithë kanë të drejtë të përdorin flamujt e tyre, por në kushte të caktuara. Por ka të tillë që pohojnë se ligjet malazeze, janë kontradiktore dhe të pasakta.
Dënime për flamuj
Dy vjet më parë, në ditën e pavarësisë së Malit të Zi, më 1 maj, policia në Budvë ka marrë në pyetje një menaxher, Milo Bozhoviqi, sepse ai kishte vënë simbole serbe në shtëpinë e tij. Autoritetet e panë atë si një provokim për festën kur Mali i Zi u shkëput nga Serbia. Bozhoviq thoshte se ai nuk a ka shkelur ligjin, sepse flamuri i përdorur nuk ishte flamur zyrtar i Serbisë, por “flamuri i vjetër malazez”.
Në të njëjtën ditë, një grup më i madh shqiptarësh, me flamuj kombëtar dhe flamuj të “Shqipërisë së Madhe”, që përfshin një pjesë të territorit të Malit të Zi, u mblodhën në majë të malit Rumija. Autoritetet nuk reaguan, e politikanët serbë në Mal të Zi pohojnë se autoritetet nuk po i trajtojnë barabartë të gjithë.
Por kjo nuk është e vërtetë, sepse gjykatat kanë ndëshkuar shumë shqiptarë në Tuz apo Ulqin, por shkak të përdorimit të flamujve shqiptarë. Kjo ka shkaktuar protesta të ashpra të politikanëve shqiptarë. Kryetari i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj dhe Ministri i të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, Mehmed Zenka, theksuan një muaj më parë se “flamujt shqiptarë në Mal të Zi do të vazhdojnë të valëviten”.
Partneri i partive në pushtet, nëkryetari i Parlamentit të Malit të Zi, Genzi Nimanbegu i tha DW se shqiptarët, si një popull autokton i Malit të Zi, presin që të mos ndëshkohen për përdorimin e simboleve kombëtare. “Ky është mospranim i origjinalitetit tonë dhe komunitetit tonë. Flamuri shqiptar është simboli ynë kombëtar dhe ne nuk do ta ndryshojmë atë”, tha Nimanbegu.
Shqiptarët në Mal të Zi (nuk) mund të përdorin flamurin
Me Ligjin e Malit të Zi për Rendin Publik dhe Paqen, një qytetar që tregon publikisht një flamur, stemë ose një simbol tjetër të një shteti tjetër pa autorizim, do të gjobitet me 100 deri 500 euro ose me burgim deri në 30 ditë. Shqiptarët pretendojnë se ata fituan të drejtën e ngritjes së flamurit kombëtar në vitin 2000, kur u miratua Ligji për përdorimin e simboleve kombëtare, dhe se Ligji për Rendin Publik dhe Paqen është në konflikt me këtë.
Nimanbegu ka kërkuar vitin e kaluar që të hiqet kjo masë dënimi. Por kjo kërkesë nuk ka kaluar në Kuvend. Nimanbegu e ka përsëritur kërkesën dy muaj më vonë. Qeveria i ka identifikuar problemet, por çështja ka mbetur tek disa ministri. Harmonizimi i ligjeve do të eliminonte problemet dhe do të siguronte përdorimin e simboleve, ashtu siç garanton Kushteta, thotë Nimanbegu. Ai pret mbështetjen e qeverisë, e cila kaherë mbështetet nga subjektet shqiptare. Por përvoja politike tregon se ende ka probleme të mëdha.
Ligji është i paqartë
Presidenti i Shoqatës së Avokatëve të Malit të Zi Branislav Raduloviq pretendon se të gjitha këto probleme janë shkaktuar nga paqartësitë në Ligjin për Përdorimin e Simboleve Kombëtare. “Ligji nuk përcakton standardin ose pamjen e flamurit dhe stemës që mund të përdoren”, thotë Raduloviq për DW. Ai nënvizon se “është e pamohueshme që pakicat kanë të drejtë të zgjedhin dhe të përdorin simbolet e tyre kombëtare”. Por duhet të përcaktohet me ligj që këto simbole nuk mund të jenë identike me simbolin e një shteti tjetër.
“Nuk do ta ndryshojmë flamurin tonë”
Kjo do të nënkuptonte që shqiptarët në Mal të Zi mund të përdorin flamurin e tyre, por ai nuk mund të jetë identik me flamurin e Shqipërisë. Raduloviq thotë se komunitetet serbe, boshnjake ose rome në Mal të Zi, pa ndonjë detyrim ligjor, kanë rregulluar flamujt e tyre kombëtar në këtë mënyrë. Por Nimanbegu tha se ndryshimi i flamurit kombëtar të shqiptarëve në Mal të Zi nuk është i mundur.
“Ne nuk jemi dakord për këtë. Pse do ta bënin këtë?”, pyet Nimanbegu. Ai mendon se kërkesat e tilla janë nacionaliste. “Ashtu si çdo nacionalizëm, i rrezikshëm është edhe nacionalizmi i ri malazez. Jo-sekularizmi mund të jetë edhe më i rrezikshëm se nacionalizmat e tjerë në Mal të Zi. Unë thjesht e shoh atë si një refuzim të të drejtave të komuniteteve të tjera, siç është rasti këtu me flamurin tonë. Ky është një interpretim që ka për qëllim shkelje të të drejtave, është nacionalist dhe pro-milosheviqian. Kjo është dhunë ndaj komunitetit tonë. Kjo shkakton dhe mund të shkaktojë ekstremizëm tjetër dhe dhunë, sepse ne jemi bashkësia e vetme kombëtare që ndëshkohemi. Ndërsa kombet e tjera në Mal të Zi janë të lirë të përdorin flamujt e tyre”, pohon Nimabegu.
Raduloviq pretendon se “një dispozitë të ngjashme ligjore e kanë të gjitha vendet sovrane”. Ai mendon se më mirë do të ishte që shqiptarët në Mal të Zi të kenë simbolin e vet, që i dallon nga flamuri kombëtar i shteteve të tjera sovrane.
Discussion about this post