Në rang global janë mangët rreth 17.4 milionë infermierë dhe punonjës të stafeve të shëndetësisë dhe shumica e vendeve bosh janë në Europë dhe SHBA, referon Organizata Botërore e Shëndetësisë.
Vlerësimet e fundit (GIZ 2019) tregojnë se Gjermania do të ketë nevojë për 500,000 infermierë shtesë deri në vitin 2030 dhe kërkesa për punonjës të kujdesit shëndetësor në SHBA dhe Britani parashikohet të rritet dy herë më shpejt se popullsia deri në vitin 2035. Këto zhvillime pritet të nxisin në të ardhmen emigracionin nga vendet e Europës Lindore dhe Qendrore dhe sidomos Shqipëri, ku fenomeni i emigracionit është i lartë, raportoi Banka Botërore në një analizë për zhvillimet ekonomike të Rajonit të ECA.
Mungesat e personelit shëndetësor në vendet e zhvilluara po lindin për disa arsye. E para nga një preferencë e ulët në këto vende për diploma në kujdesin shëndetësor dhe ndryshimi demografik, pasi popullsia në moshë pune në Europë vazhdon të zvogëlohet dhe popullsia po plaket.
Teksa njerëzit jetojnë më gjatë, sëmundjet jo të transmetueshme, të tilla si kanceri dhe goditjet në sistemin nervor dhe kardiak janë shumë të zakonshme, duke shtuar nevojën për kujdes shëndetësor intensiv dhe afatgjatë. Ballkani Perëndimor ka qenë një eksportues neto i burimeve njerëzore. 14% e popullsisë së Serbisë dhe 40% e popullsisë së Shqipërisë ka emigruar në periudhën 1990-2017.
Banka lajmëron se, kur këto vende të anëtarësohen në BE largimi do të jetë edhe më i lehtë. Bullgaria, Kroacia dhe Rumania raportojnë nivele të larta të emigrimit të jashtëm për të gjithë punonjësit shëndetësorë, megjithëse kanë vende të lira pune në vendet e tyre. Pagat, kushtet më të mira të punës dhe zhvillimi profesional janë ndër arsyet kryesore për emigrimin e profesionistëve të shëndetit.
Fakti që shumë profesionistë të shëndetit emigrojnë pas arsimimit në kurriz të vendlindjes, mund të dekurajojë këto vende të investojnë në arsim.
Nga ana tjetër, rekrutimi selektiv ndërkombëtar i mjekëve dhe specialistëve ndikon në uljen e nivelit të shërbimit në vendet e origjinës.
Ekipi shëndetësor i Bankës Botërore në rajonin ECA ka nisur një punë analitike dhe për lëvizjen e fuqisë punëtore të shëndetësisë.
Discussion about this post