Kandiati për deputet nga radhët e koalicionit AAK-PSD, Daut Haradinaj, ka thënë se pushteti i ri nuk duhet të ndërhyjë në pushtetin e drejtësisë.
“Shtrirja e duarve brenda sektorit të drejtësisë do të ishte gabim. Nëse tentojmë ta heqim një e ta sjellim një, atëherë është logjikë e gabueshme. Nuk jemi në komunizëm, koha e diktaturave dhe e kooperativave ka përfunduar. Sektori i drejtësisë duhet të forcohet”, ka thënë ai, për televizionin publik.
Ai gjithashtu ka folur edhe për qëndrimin e partisë së tij karshi pushtetit të ardhshëm.
“Çdo dështim i Qeverisë ‘Kurti’ do të gjejë kundërshtim, ndërsa çdo sukses do të gjejë aplaudim”, është shprehur Haradinaj.
Tutje, Haradinaj është shprehur edhe për dialogun me Serbinë.
“Do të jemi pro çdo marrëveshje me Serbinë, që e mbyllë këtë kapitull, por pa e lënduar Kushtetutën e Kosovës dhe territorin e Kosovës”, ka thënë ai.
Ai nuk e ka konsideruar të keq rezultatin zgjedhor të AAK-së.
“Nuk jemi keq me katërmbëdhjetë deputetë”, shtoi Haradinaj.
Discussion about this post