Komisioni Qendror Zgjedhor ka arritur të numëroj 97.88 për qind të votave në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
Nga ky numërim sipas rezultateve preliminare, Lëvizja Vetëvendosje prin e para me 25, 58% të votave. E dyta renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.89%, për të vazhduar me Partinë Demokratike të Kosovës me 21.07%. Pastaj Koalicioni AAK-PSD me 11.56%, ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD nuk ka arritur të kaloj pragun deri më tani, shkruan Telegrafi.
Nga këto rezultate të KQZ-së deri më tani subjekti i cili po i ofrohet fitores është Lëvizja Vetëvendosje. Për këtë nuk kanë munguar urimet për LVV-në, edhe nga subjektet tjera, përfshirë PSD-në, ku përfaqësuesit e saj dikur ishin pjesë e Vetëvendosjes.
Kryetari i PSD-së, Shpend Ahmeti, në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka uruar qytetarët për daljen masive dhe procesin demokratik zgjedhor. Ai ka shkruar se uron fituesin qoftë LVV apo LDK.
“Të nderuar qytetarë,
Faleminderit për daljen masive në zgjedhje dhe proces demokratik zgjedhor! Për këtë kanë meritë së pari qytetarët. Prandaj, urime!
Edhe pse ende nuk ka përfunduar numërimi i krejt votave nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, rezultatet pothuajse janë të qarta. Pa marr parasysh se kush fiton, shfrytëzoj rastin të uroj fituesin, qoftë ajo Lëvizja Vetëvendosje apo Lidhja Demokratike e Kosovës.
Falënderojmë çdo votues, anëtarë e simpatizant që ishte në përkrahje të koalicionit 100 përqind. Presim rezultatet përfundimtare dhe certifikime zyrtar por zotohemi se do të vazhdojmë të luftojmë për barazi, mirëqenie e solidaritet e për zhvillimin e shtetit tonë”, ka shkruar Ahmeti.
Edhe Dardan Sejdiu nga PSD, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se uron subjektin që fiton këtë garë, cilido që është ai.
Sejdiu ka thënë se ky proces zgjedhor ka qenë shembull për çdo demokraci.
“Të dashur qytetarë,
Ju faleminderit për daljen masive për të votuar. Kjo dalje kaq e madhe jep verdiktin më të saktë në demokraci.
Uroj subjektin që fiton këtë garë, cilido që është ai.
Rezultati i koalicionit tonë si dhe rezultatet e kandidatëve individual do t’i presim deri në çertifikim nga KQZ-ja.
Prej asaj që kemi parë deri tash, ky proces zgjedhor ka qenë shembull për çdo demokraci, lajm tepër i mirë për Kosovën.
Urime Kosovë”, ka shkruar ai.
Ndërsa Dardan Molliqaj nga kjo parti ka thënë se asnjë rezultat nuk i lëkund në përpjekjet e tyre për një Kosovë sovrane, zhvillim dhe liri.
Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook duke mos uruar asnjërin subjekt që mund t’i fitoj zgjedhjet, ka shkruar se nuk do të ndalen së angazhuari, pa kompromis, për vlerat që i përfaqësojnë.
“Ju falënderoj për pjesëmarrjen kaq masive në këto zgjedhje. Përgjithësisht procesi ishte i rregullt, përkundër problemeve të vogla.
Falënderoj gjithë ata votues e mbështetës të koalicionit AAK/PSD, e në veçanti aktivistët, komisionarët dhe vëzhguesit që e kanë bartur barrën më të madhe të këtij procesi.
Asgjë nuk ka përfunduar sa i përket rezultateve. Tani jemi në pikën më të rëndësishme të procesit, duke e numëruar rezultatin e secilit subjekt. Asnjë rezultat nuk do të na lëkundë në përpjekjet tona për një Kosovë sovrane me demokraci, zhvillim dhe liri.
Nuk do të ndalemi së angazhuari, pa kompromis, për vlerat që i përfaqësojmë ne”, ka shkruar ai.
Fitoren Vetëvendosjes, ia ka uruar edhe Fisnik Ismaili nga PSD.
Ismaili në një postim të gjatë në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se prej LVV-së nuk ka dal me qëllimin që ta dobësojë këtë parti.
“Po ia uroj fituesit qetash, pa ra me fjetë. Pishman s’jam për hiç kurrgja. A del baba, a nana fituese, s’e kam rrue asnjiherë. Prej Lëvizjes s’kam dalë me qëllim me e dobësue, por sepse s’kam dashtë kurrkujt me iu nënshtrue, qysh s’iu kam nënshtrue as babës tem, as kUmandantëve mbas lufte, as PSD-së, as koalicionit në këtë fushatë. Gjithë kam qenë, e jam i hapun për respekt e bashkëpunim, asnjiherë për nënçmim e nënshtrim.
Qoftë me hajr ndryshimi. Ndihmone me punë, kritikone me vend, mos pritni me u ba vetë veç me një ditë votimi, por duke i grahë bothës çdo ditë.
Në të njajtin shehër kemi me jetue me njani tjetrin edhe gjatë. Asnjëherë duke u urrejtë”, ka shkruar Ismaili në Facebook.
E sipas Frashër Krasniqit PDK e vjetër po shkon ndërsa PDK e re po vjen.
“PDK e vjetër po shkon. PDK e re po vjen. Lufta vazhdon, deri në arritjen e demokracisë në Kosovë”, ka shkruar ai në Facebook./Telegrafi/
Discussion about this post