Mos i besoni askujt që mbahet për fetar dhe ju flet për devotshmërinë e tij, teksa jeni duke biseduar për ndonjë interes të kësaj bote. Aq më pak për politikë. Kuptojeni njëherë e përgjithmonë; Feja aty është duke u përdor si mjet mashtrimi, mashtruesit janë duke e kryer punën e tyre, ndërsa ju do të jeni viktimat e para të atij mashtrimi dhe atyre mashtruesve.
Të jesh intelektual i tarzit të lartë dhe të mbetesh njeri me karakter të fortë, sot është ndër gjërat më të rënda që mund t’i realizojë një njeri.
E para për shkak se arritja deri tek niveli intelektual i dëshiruar, do shumë mund e shumë përpjekje. Do kohë e do tru. Do lexim të vazhdueshëm me pasion e me përkushtim. Do aftësi për ta kapur fijen dhe substancën e intelektualizmes.
E dyta është e vështirë, sepse atakimet e gjithanshme mbi personalitetin e njeriut sot janë të shumta e të rënda. Janë të ashpra dhe lehtë të realizueshme. Si asnjëherë më parë. Natyrisht, për shkak të joshjeve të gjithandejshme, shumë herë të ulëta, materiale, amorale dhe të pacipta.
S’do mend se njerëzit udhëhiqen nga nevojat për jetë dhe nga mendimet që i mbajnë në kokat e tyre. Mbase, edhe nga ato që mbajnë të fashitura në zemrat e tyre. Hipokritët janë ata që i fshehin këto, jashta tyre i prezantojnë ndryshe, ndërsa të marrët bien viktima të tyre. Më të mirët ndër njerëzit janë ata që nevojat për jetë i mbajnë nën kontroll, mendimet i udhëheqin me ideale sublime, ndërsa zemrat i kanë të ruajtura nga sëmundjet që i gërryejnë ato.
Po jetojmë në kohën e pasioneve të shfrenuara. Është koha e skajshmërive. Në këtë kohë, pasionet po shpërfaqen në mënyra të egra e duke i prezantuar si të drejta legjitime të dikujt, por të ndaluara për të tjerët.
Ekstremizmi është nëna e të gjitha të ligave që i kanë ndodhur njerëzimit përgjatë gjithë historisë. Është vepër e djallit dhe fryma e tij. Sepse djalli, Iblisi, është i pari që refuzoi urdhrin e Zotit t’i përkulej njeriut, qenies më të lartë që e kishte krijuar Zoti.
Është shumë normale dhe e pëlqyeshme kur njeriu e do të veten, por është abnormale ta urrejë tjetrin dhe të tjetrit.
E pra, të jesh intelektual i tarzit të lartë e të mbetesh njeri me karakter, sidomos sot, është gjëja më e rëndë që mund ta bëjë një njeri. E para për shkak se intelektualizmi i mirëfilltë, do mund e përpjekje të vazhdueshme, ndërsa e dyta, sepse atakimet e gjithanshme mbi personalitetin e njeriut sot janë të rënda, të ashpra dhe lehtë të realizueshme. Pa pikë dyshimi, si asnjëherë më parë…!
Discussion about this post