Rreth 6,7 për qind e popullatës në Kosovë janë persona të moshuar dhe të njëjtit përballen me kushte jo të mira jetese e qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore. E, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në dhjetë vitet e ardhshme mbi 1 miliard e gjysmë e popullsisë në botë, do të jetë e moshuar.
Kështu u tha sot në shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Personave të Moshuar me moton “Rrugëtimi drejt barazisë moshore”.
Naser Ramadani, drejtor i IKSHPK-së, tha se shënimi i kësaj dite këtë vit vë theksin në fuqizimin e tyre dhe parandalimin e çdo pabarazie, me të cilën përballet popullata e moshuar në Kosovë.
Krahas kësaj, zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti tha se të moshuarit po ashtu kanë qasje të kufizuar në shërbimet shëndetësore. Sipas tij, moshimi nuk nënkupton sëmundjen apo paaftësinë.
Edhe shefi i OBSH-së në Kosovë, Sergy Koryak tha se numri i të moshuarve në botë është në rritje.
Se të moshuarit përballen me pabarazi të ndryshme, e tha edhe Hasan Berisha nga Lidhja e Pensionistëve, sipas të cilit të moshuarit në Kosovë kanë pensione të ulëta, pavarësisht kontributit paraprak.
Ndryshe, sot është dita që i kushtohet moshës së tretë, datë kjo e përcaktuar më 14 dhjetor 1990 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara si Dita e respektit global për të moshuarit. /KosovaPress/
Discussion about this post