Letër 80 mijë punëtorëve të administratës publike.
Në situatën që ndodhemi, askujt nuk i pëlqen vetvetja kur të tjerët drejtojnë gishtin kah ti! E dini edhe ju thënien e OscarWild se “Vlera e vërtetë e një burri qëndron në atë që është e jo në atë që ai ka”.
Pa dyshim pra, ju jeni vlerë e pamohueshme në mesin e gati dy milionë banorëve të Kosovës.
Jo vetëm pse jeni burra!
Ju jeni vlerë dhe faktorë i patjetërsuar i përbërjes së shtetit i cili nuk do të ekzistonte pa popull dhe pa kufij.
E veçanta e juaj nuk është ajo që keni në krahasim me të tjerët rreth jush. E veçanta e juaj është ata që sot jeni, përgjegjësitë që keni.
Domosdoshmërish, pas lindjes së shtetit, ju jeni aty për t’i shërbyer atij.
Rikujto pagën që ti merr për të ushqyer prindërit apo fëmijët. Për pagën tënde, sa prindër humbën fëmijët e sa fëmijë rreth teje nuk thërrasin prej vitesh «babë e nënë »!
E di sa të freskëta i keni dhembjet shumë prej jush. Shumë prej jush që jeni fati kolektiv i këtij populli, sot keni përgjegjësi pikërisht për të dëshmuar mbrojtjen e shtetit. Prej aty ku jeni ju duhet ta mendoni një gjeneratë të re, pa luftë, për shtet e identitet!
Sot, nëse je burrë i lirisë, kthe kokën dhe shiko rrugën që ke bërë. E sotmja të kërkon qasje tjetër për një të nesërme që mund të dënojë breza.
Ndryshimi i qasjes suaj ndaj problemeve të Kosovës, është i domosdoshëm. Vetëm të vdekurit nuk ndryshojnë bindjet e tyre!
Është koha e fundit që ti të ndihmosh popullin e lodhur në rrugëtim të drejtë.
Ndrysho vetveten!
Ndrysho bindjet politike që nuk lejojnë ndryshimin e kufijve të shtetit që ti i takon. Ndrysho qasjen ekonomike ndaj tregut tënd që të rritë e të jep emër.
Sot, në situatën që ndodhemi, askujt nuk i pëlqen vetvetja kur të tjerët drejtojnë gishtin kah ti!
Zotëro deri në frymën e fundit përgjegjësinë ndaj shtetit. Mos lejoni të mbeteni peng i asnjë qeverie, e asnjë qeveritari. Vetëm ju mund ta ndryshoni vetveten. Ju mund të dëshmoni vlerën demokratike të Kosovës duke iu bashkangjitur zërit të së vërtetës që jeton.
Discussion about this post