Kandidatja e LDK-së për kryeministre të vendit, Vjosa Osmani, gjatë një tubimi elektoral në Hajvali të Prishtinës, tha se me qeverinë e LDK-së prioritet do të jetë ruajtja e miqësisë me partnerët ndërkombëtarë.
“Miqësinë speciale me SHBA-të dhe BE-në do ta zhvillojmë edhe më tutje. Do të përfundojë koha kur miqtë tanë deklaronin se po na futin thikën pas shpine. Qeveria e LDK-së do t’i hapë dyert e zhvillimit dhe të bashkëpunimit për Kosovën”, theksoi Osmani.
Ajo falënderoi kryetarin e partisë, akademik Isa Mustafa, strukturat, anëtarësinë dhe të gjithë qytetarët, për përkrahjen që po i japin për fitoren e madhe më 6 tetor.
Po ashtu, ajo iu është kundërpërgjigjur edhe rivalëve politikë që po e kritikojnë LDK-në për gjoja mungesë guximi.
“Kundërshtarët tanë po thonë se ne nuk kemi guxim. Ne vetëm po qeshim me të tillët që meritojnë përbuzjen dhe përqeshjen. Po na flasin për guxim njerëz që hoqën dorë nga mbrojtja e interesave të Kosovës në dialogun me Serbinë. Po na akuzojnë për mungesë guximi edhe të tillët që nuk patën guxim me vendosë lule te varri i Presidentit Rugova. Po na flasim për mungesë guximi ata që janë të zhytur në krim dhe korrupsion. Të tillët më mirë është t’i bartin plaçkat e veta, në mënyrë që qeveria t’i rikthehet sovranit. Qeveria e re do të udhëhiqet nga LDK-ja që ishte parti që i doli zot Kosovës edhe në vitet e ‘90-ta”, pohoi Vjosa Osmani.
Gjatë këtij tubimi, Osmani, gjitashtu, ritheksoi se me qeverisjen e saj prioritet do të jetë ndalja e trendit të ikjes së të rinjve nga Kosova, ndërsa shprehu bindjen se me mbështetjen e qytetarëve, LDK-ja do të arrijë ta rikthejë qeverisjen edhe në Prishtinë.
Discussion about this post