Në një konferencë për Sigurinë në Evropë që po mbahet në Kaliningrad të Rusisë, ka marrë pjesë edhe kreu i Partisë Popullore, Nenad Popoviq, i cili ka thënë se Republika e Kosovës “është një shtet i rremë që bazohet në dy shtylla, terrorizëm dhe trafikim të organeve”.
Sipas tij për këto arsye Kosova nuk do të pranohet në organizata ndërkombëtare dhe nuk do të marrë njohje.
“Shteti i rremë i Kosovës drejtohet nga terroristët dhe në Ballkan dhe problemi më i madh i sigurisë është nacionalizmi shqiptar dhe dëshira për të krijuar Shqipërinë e Madhe”, ka thënë Popovic, shkruan Danas.
Sipas tij janë duke u bërë përpjekje për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, që më pas një shtet i tillë të bëhet një prej fuqive kryesore të NATO’s në Ballkan.
“Kjo është e rëndësishme që të përkrahni Serbinë kundër Kosovës, sepse ajo jo vetëm që po e mbron të drejtën për territorin shekullor, por gjithashtu po e parandalon edhe një konflikt të mundshëm në atë pjesë të Evropës”, ka thënë Popoviq i cili ka kryesuar këtë konferencë në Rusi, transmeton Gazeta Express.
Ndër të tjera Popoviq ka thënë se është qëndrim i shumicës së serbëve që një kompromis për Kosovën të kërkohet brenda kornizës së Rezolutës 1244.
Konferenca Ndërkombëtare për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, e mbajtur në Kaliningrad, u organizua nga Partia qeverisëse Rusia e Bashkuar.
Discussion about this post