Drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviq, ka paralajmëruar se Serbia do të synojë t’i mbajë zgjedhjet e 3 prillit edhe në Republikën e Kosovës, ndonëse një referendum për disa ndryshime në kushtetutën e Serbisë nuk u lejua të mbahej të dielën.
“Përkundër faktit se Albin Kurti e pengoi referendumin në Kosovë, ne do të vazhdojmë të punojmë për mbajtjen e zgjedhjeve më 3 prill”, ka thënë Petkoviq.
Duke folur për TV Prva, ai si gjithmonë, nuk la pa përsëritur diçka prej fjalëve të shefit të tij, duke thënë se Kosova do të përballet me “pasoja të paparashikueshme” pas vendimit për moslejimin e mbajtjes së referendumit serb në Kosovë. Po njësoj u shpreh dje presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.
“Situata është e tensionuar pasi dje është vërejtur një demonstrim i forcës nga Albin Kurti, policia e Kosovës dhe ROSU, të cilët kanë qëndruar në rrugën rajonale ndërmjet Leposaviqit dhe Mitrovicës me armë të gjata dhe automjete të blinduara”, tha Petkoviq.