Sipas Abdixhikut, gjatë dy viteve të fundit, eksponentë të ndryshëm politik dhe mediatik kanë ngritur tri herë dyshime se LDK do të bëjë koalicion me PDK-në dhe, sipas tij, në të trija rastet LDK ka qëndruar konsistente ndaj qëndrimit të saj kundër koalicionit me PDK-ne.
Sipas Abdixhikut, këto dyshime janë ngritur gjatë zgjedhjeve lokale 2017, me rastin e hapjes së temës së ndryshimit të kufijve, dhe së fundmi me dorëheqjen e Kryeministrit Haradinaj.
Në të trija rastet, përkundër propagandës së vazhdueshme se LDK do të bëjë partneritet me PDK-në, ai ka thënë se LDK ka mbajtur qëndrim konsistent se nuk krijon partneritet me PDK-në.
Kjo qasje e LDK-së karshi PDK-së, sipas Abdixhikut, buron nga dy faktorë. Së pari, PDK duhet të refuzohet si partner për shkak të sistemit të keq-qeverisjes, të cilin e ka instaluar dhe mirëmbajtur tash e 12 vite.
Së dyti, PDK duhet të refuzohet për shkak se e ka dëshmuar se është partner jo i besueshëm. Për Abdixhikun, çështja e partneritetit LDK-PDK është punë e përfunduar dhe do të jetë e tillë edhe për një kohë shumë të gjatë.
Ai ka listuar katër argumente të cilat e bëjnë këtë qëndrim të palëvizshëm. Sipas tij, vullneti i Këshillit të Përgjithshëm, Kryesisë, Kryetarit, dhe, më e rëndësishmja, orientimet konsistente anti-PDK të kandidates për kryeministre, e bëjnë të pamundshëm koalicionin me PDK.
Përfundimisht, Abdixhiku ka potencuar se konsistenca e LDK-së karshi partneritetit me PDK-në gjatë dy viteve të fundit, përkundër skeptikëve të cilët propagandonin të kundërtën, është argumenti kryesor se LDK do të vazhdojë të ketë qëndrim të njëjtë deri sa PDK të dërgohet në opozitë përfundimisht.
Discussion about this post