Nëse keni vendosur që të merreni me punët e kopshtit apo në shtëpi, dhe ju ka ndodhur që nuk keni veshur rroba të vjetra, por i keni ndotur ato të cilat ju janë të preferuara, ekzistojnë truqe se si t’i shpëtoni!
Këto më së shpeshti janë njolla të cilat njerëzit “i fitojnë” derisa janë në natyrë apo punojnë diçka:
Bari
E para që duhet patjetër të bëni sapo të vëreni njollën në rroba është që ta njomni në ujë të ftohtë. Shumica e njerëzve gabojnë kur njollën përpiqen ta eliminojnë me ujë të nxehtë, sepse kjo vetëm vështirëson zgjidhjen e problemit.
Pasi që rrobat e ndotura kanë qëndruar pak në ujë, në njollë fërkoni detergjent dhe lajeni në mënyrën e zakonshme. Ekziston edhe një mënyrë – spërkatni njollën me llakun për flokë, sepse përmban alkool, dhe pastaj lajeni, transmeton Telegrafi.
Balta
E para që duhet të dini kur njollat janë nga balta është që një kohë nuk duhet t’i prekni. Derisa është e njomë, balta vetëm sa do të rrisë njollën në rroba nëse përpiqeni ta pastroni.
Njollën e thatë është shumë më lehtë ta eliminoni. Atëherë vetëm gërryeni sado që të jetë e mundshme me thikë apo me brushë të vjetër dhëmbësh. Pastaj në njollë qitni detergjent apo mjet për eliminimin e njollave, fërkojeni pak dhe lajeni në rrobalarëse.
Ngjyra
Kur zhytni rrobat me ngjyrë, është me rëndësi koha – patjetër duhet që sa më parë të filloni me eliminimin e njollës. Më parë me leckë të vjetër njomeni në atë vend në mënyrë që sa më shumë ngjyra të dalë nga rroba. Nëse ngjyra tashmë është tharë, gërryeni sado që të mundeni.
Pastaj me ujë shpërlajeni njollën nga ana e brendshme e rrobës, për shembull me dush, sepse në atë mënyrë do të jetë “e nxjerrë” nga pëlhura. Pastaj merrni detergjent dhe lini rrobën të qëndrojë në ujë të ngrohtë.
Gjithashtu, njollën mund të provoni ta eliminoni me alkool. Yndyra apo vaji. Në këtë rast njollën njomeni me leckë të vjetër apo me fasoletë letre nga të dyja anët, në mënyrë që të eliminoni sa më shumë yndyrë. Pastaj qitni mjetin për eliminimin e njollave apo detergjent dhe lëreni të qëndrojë gjysmë ore. Pastaj lajeni me ujë të nxehtë.
Ndryshku
Njolla nga ndryshku është njëra ndër më të vështirat për ta eliminuar dhe nevojitet që menjëherë të reagoni. Më efikase janë uthulla e bardhë dhe limoni, me këta përbërës njomeni mirë njollën.
Nëse është moti i mirë, rrobën nxirreni në diell, sepse edhe dielli ndihmon që ngjyra e ndryshkut të zbehet. Pastaj lajeni si zakonisht. Nëse edhe pas larjes shihni që ka mbetur pak njollë, përsëriteni procedurën. /Gazeta Mejdani/
Discussion about this post