Një burrë, 39-vjeçar, me shtetësi kosovare i cili ka goditur kunatin e tij rreth dhjetë herë me çelës të madh montimi, ka humbur betejën para Gjykatës Federale në Zvicër. Ai ishte ankuar para kësaj Gjykate për vendimin e Gjykatës Kantonale e cila, krahas burgut i kishte shqiptuar atij edhe masën e dëbimit nga Zvicra për 7 vjet.
Në prag të Krishtlindjeve tre vjet më parë, pati ndodhur një përshkallëzim në qendër të qytetit Wettingen. Kosovari që atëkohë ishte 36 vjeçar, po bënte rrathë me makinën e tij VW Golf midis dy rrethrrotullimeve në rrugën e fshatit për të parë ish-gruan e tij.
Ata ishin martuar në vitin 2004 ndërsa në kohën kur ka ndodhur kjo, ata ishin të ndarë. Kosovari kishte precedentë penal për ushtrim dhune të lehtë ndaj gruas së tij. Disa herë ai kishte shpërfillur ndalimin gjyqësor për t’iu afruar banesës së saj.
Ajo nuk kishte hyrë në ndonjë lidhje të re, nga frika e tij. Fëmijët e tyre të përbashkët tani janë 17, 14 dhe 12 vjeç.
Si ka ndodhur zënka?
Viktima atë ditë kishte qenë në qytet, me familjarët e saj. Vëllai i saj i vogël kishte vënë re makinën VW Golf me ish-burrin e saj në timon, shkruan gazeta Badener Tagblatt. Ai kishte ndaluar makinën e tij në trotuar, ka sulmuar kunatin dhe e ka kërcënuar se do ta vriste.
Pas kësaj, “fluturuan” grushtet. I dyshuari më pas kishte nxjerrë nga bagazhi një çelës metalik 37 centimetra të gjatë dhe 834 gramë të rëndë, që përdoret në skela. Me këtë mjet ai ka goditur rreth dhjetë herë kunatin e tij. Të paktën dy herë e ka goditur në kokë dhe një herë në shpatull.
I dënuari kërkon pafajësi dhe mos dëbim nga vendi. Ai ka protestuar kundër këtij vendimi dhe ka çuar lëndën në Gjykatën Federale. Ai ka kërkuar që të lirohet nga akuza për tentim lëndimi të rëndë trupor, transmeton albinfo.ch. Vlerësimi i provave, sipas tij ka qenë arbitrar dhe me atë rast është shkelur parimi “in dubio pro reo” (në rast dyshimi, në favor të të akuzuarit).