Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë bashkë me Radio Televizionin e Serbisë, kanë filluar xhirimin e një filmi dokumentar për Masakrën e Reçakut.
Ekipin që po xhiron filmin e ka vizituar Aleksandar Vulin, duke e quajtur “falsifikim” dhe “rrenë” masakrën e Reçakut.
Vulin, i cili ka shërbyer në partinë e Mirjana Markoviqit, gruas së kriminelit të Ballkanit, Slobodan Millosheviq, ka thënë se detyrë e gjeneratës së re është “t’ia shfaqë botës se Reçaku ishte gënjeshtër dhe se gjaku i fëmijëve serbë bie mbi ata që e kanë zbuluar këtë gënjeshtër”.
“Agresioni i NATO-s filloi pas një gënjeshtre të tmerrshme për Reçakun. Në atë kohë ne nuk ishim mjaftueshëm të mençur për t’ia shfaqur botës se ishte një gënjeshtër e tmerrshme. Detyra e kësaj gjenerate është t’i tregohet botës se ata na bombarduan dhe na bënë kriminelë falë atyre gënjeshtrave”, ka thënë Vulin.