Plan-programi i kryetarit të ri të Prishtinës, Përparim Rama, nuk mund të realizohet me një buxhet prej rreth 90 milionë eurosh në vit, por do të duhen grante, kredi të buta ose donacione nga mekanizmat financiarë ndërkombëtarë, thonë përfaqësues të organizatave që merren me politika lokale.
Rama, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka fituar garën për kryetar të kryeqytetit në rundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë, që është mbajtur më 14 nëntor.
Ai ka mposhtur ish-ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili ka garuar si kandidat i partisë në pushtet – Lëvizjes Vetëvendosje.
Në plan-programin e Ramës për katër vjetët e ardhshëm figuron ndërtimi i rrugëve, objekteve shkollore, çerdheve, qendrave të mjekësisë familjare, galerisë së qytetit, strehimoreve për qentë endacakë e projekte të tjera.
Qëndrim Arifi, hulumtues i Organizatës Iniciativa për Progres në Kosovë, thotë për Radion Evropa e Lirë se projektet e Ramës janë ambicioze.
“Nëse ndalemi vetëm në buxhetin e komunës, ato projekte janë të pamundura të bëhen, sepse për projekte kapitale për katër vjet, Komuna e Prishtinës mund t’i ketë afërisht 200 milionë euro. Nëse e marrim programin e Ramës, ai është shumë më i lartë për nga aspekti buxhetor”, thotë Arifi.
Buxheti i planifikuar i Komunës së Prishtinës për vitin 2021 është 85,712,836 euro.
Sa i përket kategorisë së shpenzimeve, pjesa më e madhe e buxhetit të Komunës së Prishtinës shpenzohet për paga dhe mëditje: 36 për qind. Për shpenzime kapitale, ndërkaq, ndahen 31 për qind.
Për vitin 2022, buxheti i projektuar i Komunës së Prishtinës është mbi 90 milionë euro.
Arifi thotë se projektet kapitale, të prezantuara nga Rama, mund të realizohen vetëm me ndihmën e fondeve që mund të merren nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Në programin e tij katërvjeçar, Rama ka planifikuar që mbi 50 për qind e buxhetit total të ndahen për investime kapitale në kryeqytetin me mbi 218,000 banorë. Në debate publike, ai ka sqaruar se realizimin e projekteve të tij e mbështet edhe në marrjen e granteve dhe kredive nga mekanizmat ndërkombëtarë financiarë.
“Se sa do të mund Rama dhe kabineti i tij të marrin fonde nga jashtë, mbetet të shihet”, thotë Arifi.
Për Sadri Rrmokun, nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale, projektet e kryetarit të ri janë relativisht të zbatueshme, nëse shihen projeksionet buxhetore të Komunës së Prishtinës dhe mundësitë tjera që i ka ajo.
“Kjo, për shkak se buxheti i Komunës së Prishtinës për investime kapitale për vitin 2022 është projektuar të jetë mbi 31 milionë euro. Edhe projeksionet e buxhetit për [investime kapitale] për vitin 2023 janë 43 milionë euro, por ka edhe mundësi tjera financiare, siç është partneriteti publiko-privat, [apo] përmes fondeve zhvillimore ndërkombëtare”, thotë Rrmoku.
A mund të pengohet realizimi i projekteve të Ramës nga niveli qendror?
Që nga viti 2019, Prishtina ka Ligjin për kryeqytetin, që i mundëson një grant shtesë nga buxheti shtetëror, në vlerë jo më pak se gjashtë për qind e grantit të përgjithshëm të komunave.
Ky financim shtesë i siguron kryeqytetit një shumë prej rreth 12 milionë eurosh në vit.
Përparim Rama ka fituar garën për kryetar të Prishtinës si kandidat i partisë opozitare – Lidhjes Demokratike të Kosovës. Pushtetin qendror në Kosovë e ka Lëvizja Vetëvendosje.
Përfaqësuesit e shoqërisë civile thonë se ndarja e tillë e pushteteve nuk mund ta pengojë Ramën në realizimin e projekteve. Sipas tyre, mungesa e bashkëpunimit të duhur mund të krijojë vetëm vonesa në realizimin e ndonjë projekti.
“Kur komuna dëshiron të marrë kredi të buta nga institucionet financiare ndërkombëtare, kërkohet garanci nga niveli qendror. Dhe, nëse nuk ka bashkëpunim, nëse ka neglizhencë të shqyrtimit të një kërkese, apo nëse niveli qendror nuk dëshiron të japë garantim për një kredi të mundshme, mund të krijohen pengesa në realizim të ndonjë projekti”, thotë Arifi.
Në deklarimin e parë për rezultatet e zgjedhjeve lokale, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, është zotuar se do të bashkëpunojë me të gjithë kryetarët e rinj të komunave.
“Do të kenë shumë beteja dhe punë në përballje me krimin dhe korrupsionin, posaçërisht në fushën e ndërtimit të egër”, ka thënë Kurti, partia e të cilit ka fituar udhëheqjen në katër nga 38 komunat e Kosovës./REL