Pak kush e di se Zonja e Parë e Prishtinës ishte Stella Velle me origjinë italiane dhe bashkëshortja e prefektit të parë të Prishtinës, Hysen Prishtina i cili qeverisi me Prishtinën gjatë viteve 1941-’44.
Shkruan: Bajram Mjeku
Stella Velle-Prishtina, e cila në Prishtinë njihej me emrin Drita, u lind më 28 qershor të vitit 1910 në qytetin Avellino të Italisë. Me profesion ishte mësuese.
Hysen Prishtina ishte djali i fisnikut prishtinas, Xhemajl Beg Prishtina. Me bashkëshorten e ardhshme u njoh në Itali, derisa studionte për agronomi në kryeqytetin italian në Romë.
Hysen Prishtina vuri kurorë me zonjën Stella Velle në Itali në dhjetor të vitit 1941. Më pas u zhvendosën në Prishtinë dhe u emërua prefekt.
Në kohën kur Hysen Prishtina qeveriste me Prishtinën, u hap Liceu Sami Frashëri. U hap edhe një shkollë për hekurudhë dhe një fabrikë për prodhimin e sixhadeve.
Prefekti Prishtina punoi që Prishtinës orientale, t’i jipte pamje oksidentale.
Në nëntor të vitit 1944 kur komunistët rrethuan Prishtinën, Hysen Prishtina me familje në fillim migroi në Turqi ku jetuan disa vjet dhe më vonë migroi në Toronto të Kanadasë.
Në nëntor të vitit 1944, brenda katër ditëve Prishtina përjetoi Natën e Bartolomeut. Komunistët masakruan rreth 400 qytetarë me origjinë nga familjet fisnike, të cilat edhe gjatë Perandorisë Osmane kishin bërë shumë për vendin.
Hyseni dhe Stella lanë mbas vetes tre djem e një vajzë dhe që të gjithë janë gjallë. Djali i madh Fatosi ka katër djem: Agimin, Ilirin, Afrimin dhe Arianin. Djali i dytë Bashkimi ka djalin Adamin, ndërsa djali i vogël Fisniku ka djalin Luanin dhe vajzat Lirijen dhe Adean. Vajza e vetme Farija ka djalin Besimin dhe vajzën Lulen.
Pasardhësit e Hysen Prishtinës me sakrificë të madhe krijuan biznese të suksesshme. Ata gëzojnë autoritet të madh në Turqi dhe Kanada.
Zonja e Parë e Prishtinës, Stella Velle jetoi plot 94 vjeç. Ndërroi jetë më 11 maj të vitit 2004 në Toronto. U varros afër bashkëshortit të saj Hysenit, i cili vdiq më 14 qershor të vitit 1991.