Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka emëruar diplomatin Christopher Hill ambasador të ri të SHBA-së në Serbi.
Christopher Hill, një veteran i përfshirjes amerikane në Ballkan në vitet e luftës të viteve 1990, më ka qenë më parë ambasador në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut, Poloni, Korenë e Jugut dhe Irak.
Poashtu, Hill ishte anëtar i ekipit negociator amerikan gjatë bisedimeve të paqes në Dejton për t’i dhënë fund luftës në Bosnje në 1995, dhe më pas u dërgua në Shkup në Maqedoninë e Veriut nga 1996 deri në 1999, ku u përfshi në përpjekjen për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe ish Jugosllavisë.
E lidhur me emrimin e Christopher Hill si ambasador i ri në Beograd, dhe sinjalet që po dërgon Biden me emërimet e reja në Ballka ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.
“Pesë emërimet e reja të Presidentit Biden për përfaqësimin diplomatik në Ballkanin Perendimor janë një risi në vendimmarrjen e Shtëpisë së Bardhë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një rtileri e tillë diplomatike të stacionohet në rajon përveç periudhës së luftrave në Bosnjë-Hercegovinë e sidomos në Kosovë. Shikoni vendosjen e kësaj artilerie: Christofer Hill emërohet në Beograd, aty ku gjendet nyja e zgjidhjes së konflikteve ballkanike. Eshtë personi që ka negociuar me Milosheviçin dhe Kim Jung-un e Koresë së Veriut. Eshtë dinosaur i diplomacisë amerikane. Për nga autoriteti diplomatik praktik e kalon edhe sekretarin e Shtetit të SHBA-ve”, thotë Bytyçi.
Por pse një diplomat i formatit të tillë nuk kursehet nga Shtëpia e Bardhë për ta dërguar në Serbi?
“Sepse duket qartë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq konsiderohet një politikan autokrat i vështirë gati në përmasat e Milosgheviçit dhe Kim Jung. Sepse Vuçiq duket qartë se dëshiron një konflikt të ri në rajon. Dhe është shumë e qartë. Serbia kërkon një luftë të re. Në mentalitetin serb ajo fiton në luftë dhe humbë në paqe. Kjo mendësi e ka shoqëruar kombin serb nga Garashanini e deri te Aleksandër Vuçiq”, shprehet Bytyçi për “Bota sot”.
Më tej, Bytyçi thotë se amerikanët tashmë e kanë kuptuar lojën e Serbisë, e cila po ndjek një politikë të një konflikti të ri në Ballkan.
“Amerikanët më në fund kuptuan se presidenti serb dhe qeveria serbe kanë gënjyer se do të shkëputeshin nga Rusia dhe në fshehtësi jo vetëm kanë bashkëpunuar me Moskën, por edhe kanë përgatitur projektin e shkatërrimit të shteteve ballkanike të krijuara nga shpërbërja e ish-Jugosllavisë. Emërimi i zotit Hill në Beograd shoqërohet me emërimin e tre emrave të rinj të diplomatëve të njohur e me eksperiencë në Sarajevë, Podgoricë dhe Prishtinë. Në krye gjendet Gabriel Escobar, një tjetër diplomat i shquar amerikan me eksperiencë të gjatë në shërbimin diplomatik të Amerikës në Ballkan. Unë nuk dua të bëj kasandrën. Por gjithkush e sheh se Serbia në Kosovë po ndjek politikat e konfliktit”, thekson Bytyçi.
Profesor, doktor Enver Bytyçi shton se Serbia po synon ta realizojë në veri të Kosovës, skenarin e njëtë si Rusia në Krime.
“Diversioni i saj në veri të Kosovës ka për qëllim të krijohen rrethana të favorshme për të ndërhyrë ushtarakisht dhe për ta bërë fakt të kryer aneksimin e kësaj pjese të vendit. Është i njëjti skenar, me të cilin Rusia aneksoi Krimenë në mars të vitit 2014. Ka shumë mundësi që eksperienca e Krinmesë të instruktohet nga ushtarakë dhe ekspertë rusë në Beogrdad, në Nish, në Kragijevac, apo Rashkë. Jo rastësisht u gjend ambasadori rus së bashku me ministrin e Mbrojtjes në kazermat ushtarake afër kufirit me Kosovës në muajij shtator. Po mos të ishte Rusia sponsor i kësaj aventure kundër veriut të Kosovës, autoritetet e Beogradit nuk do ta pranonin ambasadorin rus në ceremoninë e vënies së ushtrisë serbe në gatishmëri luftarake kundër Kosovës”, shpjegon Bytyçi.
Sipas tij, e njëjta gjë po ndodhë në Mal të Zi dhe në Bosnjë-Hercegovinë, vende këto që po destabilizohen nga Serbia.
Të dyja këto vende po destabilizohen nga ana e Serbisë dhe politikave destruktive të Beogradit dhe presidentit Vuçiq. Nuk guxon Dodik të angazhohet në shkëputjen e Republikës Srpska, nëse ai nuk do ta kishte përkrahjen e dy presidentëve anti-NATO e anti-amerikanë, përkatësisht të Aleksandër Vuçiq dhe të Vladimir Putin. Dodik kërkon të shpërbëjë shtetin e Bosnjë-Hercegovinës. Në këtë vend, nëse nuk ndryshon kushtetura dhe të centralizohet qeverisja qendrore, me të drejtën për të marrë vendime pa përdorimin e vetos, situata do të përshkallëzohet vazhdimisht në përkeqësim. Për të parandaluar shpërbërjen e shtetit, po vihet në veprim diplomacia e dinosaurëve diplomatikë amerikanë”, thekosn Bytyçi.
“Dhe e njëjta gjë ndodhë edhe në Mal të Zi. Përmes Kishës Ortodokse dhe qeverisë pro-serbe e pro-ruse Vuçiq po kujdeset për shpërbërjen e këtij shteti. Përfundimisht presidenti i Serbisë ka hyrë aq thellë në veprimtarinë e tij anti-amerikane e anti-europiane, sa nuk mund të kthehet më mbrapsht. Ai është fiksuar pas lavdisë së krijimit të Serbisë së Madhe, duke ndarë Kosovën dhe rrënuar tri shtete në Ballkan: Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnjë-Hercegovinën. Dëshiron që Serbët ta rendisin e shenjtërojnë si Car Llazarin dhe Stefan Dushanin. Ka një mitomani të jashtëzakonshme. Prandaj nuk kthehet nga rruga për ku është nisur”, shton Bytyçi.
Për fund, Bytyçi deklaron se diplomatët amerikanë po synojnë parandalimin e një katastrofe në Ballkan.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe presidenti Biden kanë bërë të qartë se do të ndëshkojnë çdo politikan që punon për ndryshimin e kufijve dhe territoreve në Ballkan. Pikërisht këtë katastrofë ballkanike synojnë të parandalojnë diplomatët e mëdhenj që vijnë në rajon”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi./B.S./