Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i votave të ardhura me postë nga jashtë.
Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, janë duke vazhduar aktivitetet e parapara me planin operacional të miratuar nga KQZ-ja.
“Janë dy aktivitete të rëndësishme: Numërimi i votave jashtë Kosovës, të ardhura përmes postës dhe hetimi i 10% të vendvotimeve të çdo komune, të cilat i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale”, ka thënë Elezi në një konferencë për media.
Elezi tha se gjatë periudhës së votimit përmes postës, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar rreth 5 mijë e 700 pakove të supozuara me fletëvotime. Pas vlerësimit dhe verifikimit nga shërbimi votues, brenda këtyre pakove janë konstatuar 10 mijë e 934 zarfe të individualizuara me fletëvotime.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas Elezit, ka miratuar një procedurë të veçantë që do t’i shërbejë saktësisë së procesit zgjedhor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të hetojë 10% të vendvotimeve të çdo komune dhe që i takojnë Zgjedhjeve për Kuvende Komunale. Këto vendvotime që do të hetohen, e që në total janë 255 vendvotime, janë përzgjedhur rastësisht dhe që gjatë pranimit të materialit të tyre nuk është vërejtur ndonjë parregullsi”, ka theksuar Elezi.