Kur vetë kosovarët thonë se ekziston “kombi kosovarë”, atëherë pse nuk duhet të besojmë se kjo masë që në fillim ka qenë heterogjene dhe si e tillë është zhvilluar kohë pas kohe me emërtime ndryshe dhe sot ka marrë këtë formë si në Shqipëri, ku kosovari nuk shihet si shqiptar, në Kosovë ai i Maqedonisë së Veriut shihet si maqedonas dhe jo anasjelltas. Nuk mund të flasim për një unitet, por për një popull që dikur jetonte në një hapësirë të njëjtë gjeografike e tani nuk mund të bashkohet për shkak të elitave të kalbura politike në shërbim të qeverive sllave.
Shkruan: Selim IBRAIMI, Washington
Sa herë që flasim për bashkimin kombëtar, më mirë është që çështja të shtrohet se pse shqiptarët aq me shpejtësi në Ballkan po largohen nga njëri tjetri dhe si do të përfundojnë si shtete dhe pakica kombëtare në shtetet sllave. Largimi i parë historik dhe shpirtëror u bë pas Konferencës së Londrës e cila zyrtarisht do të ndante shqiptarët diku para shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Konferenca e Parisit dhe formimi/shtrirja gjeografike e Mbretërisë SKS-së, do të jenë dy ngjarjet që do të ndikojnë në parandalimin e zhvillimit të shqiptarëve si komb unik, por me specifika të veçanta të imponuara nga faktorët e jashtëm. Me paktin shqiptaro-italian e diku para kapitullimit të Italisë së Benito Musolinit, 1943 dhe gjermanëve në 1945, kishte përpjekje dhe projekte serioze nga shqiptarët e Shqipërisë, Kosovës dhe Prefekturës së Dibrës për shërimin e plagëve të marra në 1912-tën. Ndarjet ideologjike që kishin filluar para shpalljes së pavarësisë të reflektuara si rivalitete në Kongresin e Lushnjës, Konferencën e Mukjes dhe të Bujanit, përfundimisht do të bënin që shqiptarët në Ballkan të mos kenë një qendër veprimi apo bërthamë politike, ekonomike dhe kulturore.
Fazat e largimit – “kombi kosovar”
Fragmentimi do të vazhdonte deri në shpërbërjen e komunizimit dhe hapjen e Shqipërisë si“mëmëdhe”që nuk kishte ruajtur asgjë për djemtë jashtë kufijve të vendosura nga Perëndimi dhe Bashkimi Sovjetik. Dhe për fat të keq, mendimi politik shqiptar i fituar në botën perëndimore dhe në Turqi do të zhdukej dhe do të favorizohej realizmi socialist. Në njërën anë ishte të mësuarit stalinist-enverist të interpretimit të fenomeneve dhe në anën tjetër të kufirit, ishte titizmi që duhej të ishte udhërrëfyesi i shqiptarëve të RSFJ-së. Për të qenë realist, shqiptarët në Ballkan tash pas tre dekadave nuk kanë një burim të shpërndarjes së fuqisë dhe kulturës politike. Janë Tirana dhe Prishtina ku pavarësisht se kush ka qenë në pushtet, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Kosovës Lindore dhe të Mal të Zi, i kanë trajtuar sitë dorës së dytë, si p.sh. si shqiptarë maqedonas, kosovarë nga Struga, ekstremistë fetarë etj.etj. Ose kur vetë kosovarët thonë se ekziston kombi kosovarë, atëherë pse nuk duhet të besojmë se kjo masë që në fillim ka qenë heterogjene dhe si e tillë është zhvilluar kohë pas kohe me emërtime të ndryshme dhe sot ka marrë këtë formë si në Shqipëri, ku kosovari nuk shihet si shqiptar, në Kosovë ai i Maqedonisë së Veriut shihet si maqedonas dhe jo anasjelltas. Kjo mungesë kulture dhe e informimit është si pasojë e izolimit prej sistemit enverist dhe shtrembërimit të ndodhive në Maqedoninë së Veriut nga politika e Prishtinës pas 1999-tës dhe pjesës dogmatike të intelektualëve kosovarë e sidomos të Akademisë së Kosovës, ku njëri prej tyre sot në pozitë të lartë të kësaj akademie i quajti shqiptarët e Maqedonisë së Veriut si të prapambetur. Duke e parë këtë raport, lirisht mund të themi se status më të ngritur intelektual dhe kombëtar kanë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut duke i vlerësuar saktë shqiptarët e Kosovës dhe të Shqipërisë.
Ky është vetëm një fakt se pse në dekadat e ardhshme nuk do të ketë bashkim ose qendër të vetme shqiptare në Ballkan ku do të drejtohej ekonomia dhe politika e jashtme e koordinuar me ministritë e Jashtme ku shqiptarët janë pjesë e sistemeve qeverisëse. Në Shqipëri nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama si vështirë do të mund të presim nga ai apo qoftë ndonjë qeveri e drejtuar nga demokratët të bëjnë më shumë për shqiptarët në Ballkan dhe për një Shqipëri të fortë ekonomike e cila do të kishte ndikim në Kosovë, Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut. Aktualisht politika në Tiranë është në kolaps dhe teoria politike klasike tregon se kur një shtet gjendet në“turmoil” të përhershëm, në atë vend nuk mund të pritet për një kohë të ketë rimëkëmbje dhe qeveri e cilado të arrinte të zhvillonte politika ekspansioniste dhe të përballojë agresionin e shteteve fqinjë. Kosova natyrisht ka qenë më afër me shqiptarët e viseve që jetonin në ish Jugosllavi. Prishtina dikur ka qenë referencë për rininë shqiptare të Maqedonisë së Veriut, Kosovës Lindore dhe Malit të Zi.
Enveristët e rinj
Pavarësia e Kosovës nuk do të arrihej po të mos ishin solidarë të mëdhenj shqiptarët e rajoneve tjera brenda trojeve dhe jashtë, në BE, Amerikë të Veriut dhe deri në Australi/ Zelandë të Re. Në Kosovë pas hyrjes së ndërkombëtarëve në vitin 1999 dhe në Maqedoninëe Veriut në vitin 2002 kur ish përfaqësuesi i lartë i gueriljes Ali Ahmeti doli si lider kinse karizmatik dhe me premtime se do të ndryshonte gjendjen e statusit të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut,gjërat shkuan për së prapthi, pasi pala politike kosovare dhe ajo në Tiranë menduan qysh më herët se me rrëzimin e Nevzat Halilit, Arben Xhaferit, Ymer Ymerit dhe të tjerëve, Ahmeti në fund me energjinë e një personaliteti të uritur për pushtet dhe pas famës do t’i bënte shqiptarët shtet-formues. Dhe kjo nuk ndodhi, sot shumë pak mund të flitet për përparim përveç se për këtë flasin vetëm kryesia e ngushtë e partisë së tij, grupet partiake të biznesit dhe një shtresë e lodhur pas reputacionit e cila pret ndonjë projekt partiak për t’ua mjegulluar votuesve realitetin e zi. Për sa kohë në pushtet do të jenë drejtuesit enveristë qoftë në Tiranë, Prishtinë dhe në Tetovë, shqiptarët në Ballkan do të jenë të shpërndarë dhe të pafuqishëm. Dhe madje do të fillojnë së shpejti të shihen si armiq në mes vete, duke luftuar për mbijetesë në Ballkanin e vrazhdë Perëndimor të dominuar nga serbët dhe maqedonasit sllavë. Tash për tash nuk duket ndonjë plan serioz për bashkim kombëtar dhe drejtimin e punëve të jashtme nga një qendër. Diplomacia në të dy anët e kufijve po mungon. Politikat e jashtme të Ramës dhe e Kurtit pothuajse janë në fazën e zhvillimit të mendimit strategjik dhe në krye të institucioneve qëndrojnë njerëz amatorë dhe të padukshëm në diplomacinë shumë dimensionale dhe të ngatërruar nga aktorët malinj. Në Maqedoninë e Veriut, politika e jashtme e vendit përfaqësohet nga kuadro të ish kryeministrit pro rus Nikolla Gruevski, ku interesi grupor dhe individual interpretohen si suksese nacionale të shqiptarëve atje. Kapja e tyre nga sistemi maqedonas e pamundëson atë klasë politike të mbetur që të ndërtojë sisteme të pavarura në kuadër të integrimeve. Pa unifikim në një bërthamë, shqiptarët edhe ashtu të dobët në fushën e diplomacisë dhe planifikimeve strategjike do të shpartallohen. Andaj nuk mund të flasim për një unitet, por për një popull që dikur jetonte në një hapësirë të njëjtë gjeografike e tani nuk mund të bashkohet për shkak të elitave të kalbura politike.
E vetmja mundësi mbetet zhvillimi i nacionalizmit të moderuar ekonomik dhe arsimimit që do të mund të sillte në linjë politikat unike shqiptare. Fundja, gjendja e shqiptarëve nuk ishte mirë as para ikjes së Bizantit, ku më pas, zhvillimi i principatave u bë mbi baza fisnore dhe krahinore, pa lënë anësh këtu politikat e fiseve me principatat serbe. Si duket ky sindrom fisnor është trashëguar brez pas brezi deri në kohën moderne të politikës shqiptare në Ballkan, e cila duhet pranuar se nuk është unike, por e shpërndarë.