Presidentja e vendit, Vjosa Osmani ka reaguar pas aksionit të Policisë së Kosovës në veri në luftim të kontrabandës, ku për pasojë mbetën të lënduar tetë persona.
Osmani ka thënë se lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegocueshme.
Ajo ka theksuar se disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim, transmeton lajmi.net.
Postimi i plotë:
Lufta kundër krimit të organizuar është e pakompromis dhe e panegociueshme. Të negociosh e të bësh kompromis me krimin është të bëhesh njëri prej tyre. Prandaj aksioni i sotëm i policisë dhe doganës së Kosovës, i autorizuar nga institucionet e drejtësisë, nuk mund të quhet “aksion në veri”, sepse ai ishte aksion në pjesë të ndryshme të Kosovës, ndaj personave të etnive të ndryshme, e që të përbashkëtën e kishte kontrabandën dhe krimin e organizuar. Ky lloj i krimit ka qenë gjithnjë multietnik.
Disa shqiptarë në jug e disa serbë në veri e persona të etnive të tjera, shpeshherë të ndihmuar nga politikanë të caktuar, ka vite që kanë organizuar këtë krim. Por, ato ditë kanë perënduar. Lufta ndaj krimit të organizuar nuk e ka siglën e përkatësisë etnike, por siglën e përkatësisë në grupe kriminale.
Kushdo që tenton ta paraqesë ndryshe, është ndihmëtar ndaj grupeve kriminale, të cilat BE-ja ka dy dekada që po kërkon t’i luftojmë. Tani që kjo luftë ndaj krimit është e vertetë, e pakompromis, dhe e panegociueshme, presim që BE të qëndrojë besnike ndaj vlerave të sundimit të ligjit të cilat vetë i përfaqëson.