A mund të jetohet pa Facebook?
Kjo pyetje që rëndom bëhet për ta matur disi, nëse diçka e tillë është e mundur, në teori, varëshmërinë tonë nga Rrjetet Shoqërore në përgjithësi dhe Facebook-u në veçanti, të hënën e shkuar, me 4 tetor, mori një dimension fare praktik kur ndodhi (ajo që ka qenë e paimagjinueshme), rënia e Facebook-ut, Instagram-it dhe WhatsApp-it.
Njerëzimi i Facebook-ut, i krijuar prej tij dhe i lidhur me te, u trondit, ishte tej mase i shqetësuar, realisht, ishte në panik.
Lajmet se çfarë është duke ndodhur në të vërtetë, ishin të pakta, të paqarta, të mjegulluara, të vonuara gjithsesi.
Megjithatë, kah mesnata me kohë evropiane, u ri-shfaq Facebook-u. Për të mos thënë madje që u ri-lind, pas vdekjes së tij të papritur.
Vazhdoi pastaj, ai komukimi i të gjithëve me të gjithë, për të gjitha gjërat e mundshme në këtë Botë.
Nuk vonoi dhe ditën e nesërme, të martën, me 5 tetor, u konstatua që Mark Zuckerberg, themeluesi i Facebook-ut, që ka vetëm 37 vjet moshë dhe 121.6 miliardë dollarë pasuri, humbi për shtatë orë të këtij kolapsi të Facebook-ut, shtatë miliardë dollarë. Apo, çdo sekond i këtij dështimi në funksionimin e Facebook-ut, Instagram-it dhe WhatsApp-it, i kushtoi Zuckerbergut 2777 dollarë.
Sidoqoftë, ajo ofshama e brengës së madhe të miliarda përdoruesve të Facebook-ut, në ato orët e gjata të mungesës së tij, u zëvëndësua me një frymëmarrje lehtësimi, kur gjithçka iu kthye normalitetit.
Pra, gjithçka është në rregull. Toka sillet rreth vetes dhe Diellit. Hëna sillet rreth Tokës. Ne sillemi rreh Facebook-ut.
Jemi Facebook-centrik.
Dihet që nuk paramendohet dot jeta pa Facebook. As shoqëria. As politika. As ekonomia. As businessi. As kultura. Asgjë në fakt.
Mbi të gjitha, historia e re është e pandashme prej Facebook-ut dhe Rrjeteve Shoqërore.
Kushdo që sadopak i ka përcjellur zhvillimet e dhjetë-pesëmbëdhjetë vjetëve të fundit në Botë, e di që shumë ngjarje politike dhe historike të mëdha, nuk do të shënoheshin fare, po të mos kishte Rrjete Shoqërore dhe mbi të gjitha, po mos të ishte Facebook-u.
Ta zëmë, pa Facebook dhe pa (keq) përdorimin e tij në shkallë marramendëse nga Cambridge Analytica (por edhe të Rusisë së Vladimir Putinit), nuk do të kishte kthesë dramatike në Britaninë e Madhe dhe në SHBA, në vitin 2016.
Brexit-i kurrë nuk do të kishte sukses në Britaninë e Madhe, në qershorin e vitit 2016, dhe ky shtet, tutje do të ishte anëtar i Bashkimit Evropian.
Donald Trump, vetëm pak muaj më vonë, në nëntorin e atij viti (2016), kurrë nuk do të mund të ngadhnjente në garën për President të Amerikës, në një rivalitet të madh me Hillary Clinton, favoriten e padiskutueshme të këtyre zgjedhjeve.
Facebook-u e dha atë ‘votën’ vendimtare për daljen e Britanisë së Madhe prej Bashkimit Evropian dhe për hyrjen e Donald Trump-it në Shtëpinë e Bardhë.
Natyrisht, pa Rrjetet Shoqërore dhe pa Facebook-un, nuk mund dot të analizohen dhe vlerësohen si duhet asnjëri prej zhvillimeve politike dhe historike në Botë. Qofshin ato për të mirë, apo edhe për të keq.
Sidoqoftë, këto procese, si të tilla, të ndryshimeve dhe avansimeve teknologjike të të gjitha llojeve, nuk mund të ndalen dot. Kështu ka qenë gjithmonë. Kështu do të jetë edhe tash e tutje.
Nuk mund dot përparimi teknologjik, të vlerësohet me kritere morale, besa, as politike.
Facebook-u, mund të na thonë ata që janë në krye të tij, është moralisht dhe politikisht neutral, teksa ai gjithsesi i duhet njerëzve, dhe është i dobishëm për shumëkend.
Nëse kthehemi pak në histori dhe bëjmë krahasime të ngjashme të ndikimit të një zbulimi të madh teknologjik (çfarë është para se të gjithash Interneti), në rrjedhat politike dhe historike, saora na del përpara radioja, dhe mënyra se si ai është përdorur (si ‘aplikacion i kohës’), ai prej Mussolinit dhe Hitlerit për ta marrë pushtetin në Itali dhe në Gjermani, dhe për ta bërë atë tmerrin e Luftës së Dytë Botërore. Natyrisht, as rezistenca ndaj tyre nuk mund dot të kuptohet dhe të shpjegohet pa ato fjalimet antologjike në radio të Winston Churchillit, Kryeministrit të Britanisë së Madhe, të cilat mobilizuan një popull të tërë për të luftuar për ruajtjen e lirisë.
Më pas, vjen Televizioni, rrezja e ndikimit e të cilit dhjetëfishohet në krahasim me Radion.
Pos tjerash, John F. Kennedy kurrë nuk do të bëhej President i Amerikës, në vitin 1960, po mos të dilte fitimtar në debatet televizive ndaj Richard Nixon-it.
Edhe Lufta në Vietnam e Amerikës, është ndalur në masë të madhe falë ndikimit të pamjeve televizive filmike.
Dhe kështu me radhë.
Bota është bërë moti një ‘Fshat global’, siç pati thënë Marshall McLuhan.
Facebook-u nuk është kurfarë risie në këtë aspekt.