Shefi i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, tha se rasti i helmimit të qytetarëve të Komunës së Deçanit është injoruar dhe është shpërfillur nga Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Albin Kurti.
Ai në seancën e sotme e sotme plenare, tha se nuk ka ndodhur në histori të një shteti që të ketë helmim masiv me mbi 1 mijë e 300 njerëz dhe shteti të reagojë pas tri ditëve.
“Në historinë e një qeverisje, e një shteti nuk ka ndodhur që të ndodh një helmim masovik me 1 mijë e 314 njerëz dhe shteti dhe qeveria të reagojë tek pas tri ditësh dhe ai reagim të vjen pas një presioni publik dhe politik që buron edhe nga Kuvendi, edhe nga qytetarët e Kosovës, edhe nga familjarët e të infektuarve. Nëse kemi një kësi lloj injorimi, një shpërfillje të tillë nga qeveria dhe nga kryeministri në një tema kaq sensitive, çka do të ndodh në raste të tjera”, tha ai.
Ai ka reaguar edhe për vendimin që qytetarët duhet të paguajnë shumën prej 5 eurove për regjistrim të automjetit të tyre që të pajisen me një tiketë që dëshmon se automjeti është i regjistruar. Ai u shpreh se ky vendim është i kundërligjshëm dhe kërkoi që një gjë e tillë të largohet.
“Vendimi i taksës për qytetarët e Kosovës për të paguar 5 euro është thjeshtë i kundërligjshëm, është nënshkruar në kundërshtim me rregulloren e punës së qeverisë, përgjegjësi penale, institucionale dhe qeverisëse ka vetëm ministri dhe jozëvendësministri. Kërkojmë nga ju që të largoni këtë taksë menjëherë dhe të mos ndodh që me taksa të tilla të pasurohen individ dhe mbi këtë të rëndohet jeta e qytetarëve të Kosovës”, tha ai.