Kryetari i degës së PDK-së në Skenderaj, Sami Lushtaku, pas një takimi që mbajti me strukturat e kësaj dege, deklaroi se ka mbështetjen e plotë për kandidimin e tij për kryetar të Komunës së Skenderajt në zgjedhjet lokale të 17 tetorit.
Lushtaku, me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka bërë të ditur se së shpejti do t’i zyrtarizohet kandidimi për kryetar në Skenderaj nga radhët e PDK-së.
“Strukturat e degës së PDK-së në Skenderaj ofruan mbështetje të plotë për kandidaturën time për kryetar të komunës së Skenderajt, e cila do të zyrtarizohet së shpejti”, deklaroi ndër të tjera Lushtaku.
Postimi i plotë i Lushtakut:
Sot takova strukturat e degës së PDK-së në Skenderaj. Bashkëbiseduam për zhvillimet politike në nivel qendror dhe lokal. Uniteti brenda strukturave tona është shumë i madh i cili do të ketë si rezultat ngritjen e fuqishme të PDK-së në nivel vendi.
Strukturat e degës s PDK-së në Skenderaj ofruan mbështetje të plotë për kandidaturën time për kryetar të komunës së Skenderajt, e cila do të zyrtarizohet së shpejti. Bashkërisht do të hartojmë edhe listën për asamble komunale e cila do të jetë e mbushur me kuadro profesioniste nga të gjitha fushat. SL