Kohëve të fundit në Kosovë është folur mjaftë për të drejtat e gruas si dhe për ofendimet që po i bëhen asaj nëpërmes ngacmimeve seksuale.
Përveç në rrjetet sociale, debati për këtë çështje u shtrua edhe nëpër disa emisione televizive.
Megjithatë, mendon Mustafë Bajrami, kjo nuk është e mjaftueshme. Sipas tij, në shoqërinë tonë vazhdimisht flitet për të drejtën e femrës në trashëgimi, porse askush nuk merr iniciativën konkrete që ajo të bëhet normë e pakapërsyeshme e shoqërisë sonë.
Për më tepër, Mustafë Bajrami ka përmendur edhe prijësit fetarë të cilët ligjërojnë dhe ngritin zërin për atë se si feja islame i garanton femrës të drejtën për të trashëguar. Mirëpo, thotë ai, ata vetë nuk e praktikojnë atë që e thonë nëpër xhami.
“Nëse Zoti ua garanton atë të drejtë, kush jeni ju që ua ndalni dhe ndaloni atë“, ka pyetur Mustafë Bajrami
“Qohet hoxha me nam, i cili di shpesh me “kallë e me tranue” xhematin me ligjëratat e tij, duke bërtitur nga mihrabi e duke thënë se Islami është fe e barazisë, e drejtësisë, e këndej, vajzave të tij su ka dhënë asnjë cent kur e ka nda pasurinë!”, ka shkruar Bajrami.
Gjithashtu, në shkrimin e tij lexojmë se ai ka kritikuar edhe elitën intelektuale të vendit të cilët edhe ata sikur prijësit fetarë veprojnë thuajse njëjtë.
“Qohen intelektualë të cilët janë të zhurmshëm duke bërtitur (rrejshëm) për barazi sociale, duke kritikuar politikën e duke folur në favor të drejtave të gruas, a këndej, as këta asnjë cent nuk ia kanë ndarë vajzave të tyre kur janë martuar”.
Në fund të shkrimit të tij ai bënë një propozim interesant dhe thotë se duhet të jetë e shkruar në formularin e kurorëzimit fjalia: A pajtohesh që me vullnetin tënd të lirë po heqë dorë nga pasuria e cila të takon ty, dhe e cila po mbetet tek prindërit, vëllezërit dhe kunatat e tua.
Për më tepër, Mustafë Bajrami i është drejtuar Qeverisë së vendit që këtë çështje ta merr me seriozitetin më të madh. E nëse arrin që femrës t’ia sigurojë ‘hisen’ e saj qoftë edhe nëpërmes forcës së ligjit, ka thënë ai, kjo qeveri do të mbetet në histori si qeveria e cila bëri një veprim kaq të mirë, kaq të madh dhe të rëndësishëm për të drejtën e gruas.
Më poshtë gjeni shkrimin e plotë në llogarinë e tij në Facebook:
1. Qohet shqipja, dikur komunist i regjur, tash vetëm ateist e profesor, i marton vajzat, pastaj ua ndanë tokën e pasurinë djemve ndërsa vajzave nuk ua ndanë asnjë cent. Po i njëjti vazhdon të shes “drejtësi” duke thënë se ma mirë sa të jam gjallë ta ndajë pasurinë që t’mos u lë evladëve bela. Në të njëjtën kohë, bërtet sa mundet se feja (islame) e diskriminon femrën, dhe se, feja na ka lënë prapa. E ky njeri që ka emër e mbiemër kurrë asnjë dispozitë të fesë islame nuk e pa praktikue!
2. Qohet hoxha me nam, i cili di shpesh me “kallë e me tranue” xhematin me ligjëratat e tij, duke bërtitur nga mihrabi e duke thënë se Islami është fe e barazisë, e drejtësisë, e këndej, vajzave të tij su ka dhënë asnjë cent kur e ka nda pasurinë!
3. Qohet prifti e na tregon për dashurinë ndaj Krishtit, ndaj kombit, ndaj atdheut e ndaj Skenderbeut, plus, flet për madhështinë e Shën Terezës, a këndej as ky, kurrë asnjë cent sua ka nda vajzave të martuara kur e ka nda pasurinë!
4. Qohen intelektualë të cilët janë të zhurmshëm duke bërtitur (rrejshëm) për barazi sociale, duke kritikuar politikën e duke folur në favor të drejtave të gruas, a këndej, as këta asnjë cent nuk ia kanë ndarë vajzave të tyre kur janë martuar!
Atëherë, kush është fajtori këtu, feja, mendësia shqiptare, ligji apo kush?
Propozoj që organet kompetente të vënë një nen në aktin e martesës dhe ty pyetet vajza: A pajtohesh që me vullnetin tënd të lirë po heqë dorë nga pasuria e cila të takon ty, dhe e cila po mbetet tek prindërit, vëllezërit dhe kunatat e tua.
Bile, kisha propozuar që fillimisht aty-për-aty të ndahet hisja e saj, e pastaj ajo me vullnetin e lirë ose ta merr më vonë apo ta lë tek vëllezërit dhe kunatat e saj.
Qeveria e tanishme e ka këtë fat të madh të veprojë në drejtim të mbrojtjes me ligj të së drejtës së fermës në momentin kur ajo nënshkruan aktin e martesës. Jo si e drejtë, por si detyrim në vepër. Qeveria do të mbetej në histori për të mirë, nëse merr një vendim të tillë.
Vetëm kështu mund të vetëdijesohet ky popull, dhe vetëm kështu del në shesh se kush saktësisht është fajtor pse vajzave shqiptare nuk u jepet hisja kur të martohen, përkundër shumë kombeve tjera që ose ua ndajnë sipas parimeve fetare, ose sipas ligjeve sekulare në fuqi…!