Nëse kthehesh pak prapa në kohë, për shembull në vitin 2013 dhe konsultohesh me listën e 100 më të pasurve në Shqipëri, do të shohësh lloj-lloj emrash dhe kompani që janë “zhdukur”, por edhe të tjerë të cilët sot kanë 100-fishuar paratë dhe asetet.
Shkruan: Poli Hoxha
Ata që media dhe opozita aktualisht i quan “oligarkë” janë një grusht biznesmenësh, 7-10 syresh, të cilët gjatë tetë viteve të pushtetit të Edi Ramës kanë gjetur “Eldoradon”.
Kryeministri thotë që paguajnë shumë taksa, por e vërteta është se këta marrin çdo gjë të mundshme nga shteti dhe pasuria publike ndërsa kthejnë pas, vetëm thërrime.
Marrin koncesione duke punuar me paratë e shtetit dhe e kanë fitimin “e punës”, po të garantuar nga shteti.
Marrin troje pafund, pasuri nën e mbi tokë për 35 deri në 99 vite, dhe rrugës i “privatizojnë”. Bëhen investitorë “strategjikë”, kapin falas zonat më të mira në bregdet, të shtetit a privatit, ndërtojnë e shesin, ndërkohë që rrugën, dritat, ujin, e gjithë infrastrukturën jua bën gati po shteti.
Fitojnë çdo tender të mundshëm për gjëra të mëdha e të vogla, deri edhe te letrat A4, pa garë (ose gjoja me garë) dhe me oferta limit deri në 99 për qind të fondit.
Pasi kanë pushtuar çdo cep të vendit dhe kanë monopolizuar çdo aktivitet biznesi, bëjnë edhe ndërmjetësin mes opozitës dhe pushtetit. Përcaktojnë edhe deputetët brenda partive, se për drejtorët e ministrat nuk diskutohet. Pastaj i fusin një të “sponsorizuar” mediave me reklama a ndryshe, dhe ja ku u mbyll cikli.
Janë nja 2-3 copë prej tyre, të cilët po mburren poshtë e përpjetë se kanë kaluar miliardin në euro, por ju dridhet dora që rrogat e punonjësve t’i çojnë nga 300 mijë të vjetra të paktën në 400.
Asnjëri prej tyre nuk ka investuar ndërtimin e ndonjë fabrike ku të punësohen mijëra shqiptarë e të prodhohet ndonjë gjë në këtë vend. Askush prej tyre nuk denjon që të bëjë ortakëri me ndonjë kompani të madhe të huaj e të njohur, që të sjellë filialin këtu në Shqipëri. Të hap vende pune, por edhe të mburremi pak si ata në Maqedoninë e Veriut apo Serbi!
Të vetmin ortak kanë shtetin dhe të vetmen punë që dinë të bëjnë është fitimi i sigurt, me paratë e Thesarit dhe nga pasuritë publike.
Por, më e bukura është se janë, edhe kurnacë dreqi. As një shkollë apo një spital me emrin e tyre, nuk ju shkon ndër mend t`ia dhurojnë komunitetit. As për rrugën e fshatit nga kanë origjinën nuk kujtohen, nëse nuk ju thonë ta ndërtojnë me tender.
Janë aq të ngushtë e “të bërë me zor”, sa që ju duket gjë e madhe që pasardhësit e tyre do të mburren: Jam nipi/mbesa e iks miliarderit…
As që e mendojnë që këta nipër e mbesa do ndiheshin edhe më krenarë, nëse do të mundnin të thoshin: këtë bibliotekë, këtë spital, rrugë, shkollë, çerdhe… e ka dhuruar gjyshi apo stërgjyshi im miliarderë. Ja shiheni; ajo ka përgjithmonë emrin e tij dhe mbiemrin tim!
Por, këtu në Shqipëri, leku i fituar me ndihmën e shtetit dhe i rrjepur nga taksapaguesit shqiptarë qenka më i zorshëm për tu falur se ai i nxjerrë me zotësinë e një ekonomie tregu dhe të ndershme.
Shihni për shembull, ministrat dhe drejtorët e Edi Ramës; as portofol xhepi nuk mbajnë më!
Pse i shkruan gjithë këto “broçkulla” që dihen, do të thoni ju?!
Sepse kam frikë që kot merremi me zgjedhje të vjedhura, klepto-auto-stabilokraci e me sherret dhe intrigat brenda opozitës.
Këtu ka rënë shtylla e kurrizit të shoqërisë!
Ajo që krijohet ndër dhjetëra breza dhe që mban dinjitetin, ndershmërinë, për barazinë, filantropizmin. Ajo që komandon ndërgjegjen, turpin, zverdhjen, skuqjen…
Imagjinoni një situatë hipotetike, në një shkollë nëntëvjeçare të Tiranës. Fëmija i një drejtori në shtet që ka bërë “lek të madh”, edhe pse rrogën e ka maksimumi 800 deri në një milion të vjetra, ju mburret bashkëmoshatarëve (fëmijë mësuesish apo kujtdo tjetër), se përveç vilës apo super-apartamentit në Tiranë ka edhe një shtëpi në det, një tjetër në mal, e një tjetër në liqen. I bullizon fëmijët e të ndershmëve sepse ka një baba a nënë të pasur, por hajdutë. Askush në këtë lloj habitati social që sa vjen e merr formën e kënetës, nuk bërtet e të thotë; paratë e kësaj mirëqenie që e diferencon atë fëmijë nga bashkëmoshatarët, në fakt janë vjedhur nga paratë e destinuara për të gjithë.
Por, më horror është fakti se fëmija i të ndershmit që bullizohet nga ai i hajdutit, i ka zili këta të fundit. I lakmon, i adhuron e është i lumtur t’i ketë shokë. Kur kthehet në shtëpi, vështron prindërit e tij me përbuzje e i fajëson: Pse nuk jeni edhe ju aq “të zotë”?!
Ky është brezi që i është bërë gati Shqipërisë së të ardhmes!
Askujt nuk i “kujtohet” më se në çdo vend normal të civilizuar, të turpëruar e të “bullizuar” do të ndiheshin ata që janë bërë të pasur me lekët e korrupsionit e të krimit, të kthyer në biznes.
Në çdo vend evropian, kur kapen nga drejtësia apo demaskohen në media, të tillë individë marrin plaçkat dhe zhduken me gjithë familjen nga komuniteti ku jetojnë. Sepse nuk durojnë dot që të tregohen me gisht; sepse kanë të paktën vulën e turpit. Kurse, këtu jo vetëm që na vjedhin, por edhe na e përplasin me arrogancë plaçkën që kanë bërë me paratë e taksapaguesve. Jetojmë në një kënetë ku fëmijët e të ndershmëve i kanë idhuj fëmijët e hajdutëve, kurse prindërit e ndershëm jo vetëm që vulosen si të dështuar e fajtorë, por dhe gjykohen e turpërohen pse janë të ndershëm.
Për ta mbyllur këtë temë të dëshpëruar për oligarkët e sotëm me punë në privat a në shtet, mu kujtua një “oligark” i viteve 1930 në Korçë. Thoma Turtulli quhej dhe ishte një tregtar i madh, i cili jo vetëm nuk e bëri pasurinë me shtetin, por edhe dha “miliarda” për komunitetin dhe shtetin.
Shiheni çfarë bënte ky “oligark” i dalë mode sot:
I dhuroi Korçës bibliotekën, kinemanë, liceun, spitalin dhe jetimoren. Blinte gjithë pajën e martesës për vajzat e familjeve të varfra korçare për të shkuar te shtëpia e burrit me dinjitet.
Më 1927 përfundoi e dhuroi kinemanë “Majestic”, një vepër e bukur dhe moderne që u ngrit nga Kompania Anonime Shqiptare “Cinemato”, e krijuar enkas prej Thoma Turtullit.
Më 1930 përfundoi Biblioteka e Korçës, e dhuruar prej tij me rreth 30 mijë libra brenda si fillim.
Pastaj “oligarku” Thoma Turtulli i dhuroi qytetit edhe objektin e Liceut të famshëm. Në vitin 1934-ën u përurua edhe dhurata tjetër: spitali i qytetit një nga më modernët në gjithë Ballkanin e asaj kohe.
Por, jo vetëm kaq, bashkëshortja e tij, Athinaja, në “garë” me burrin i dhuroi shtetit 40 mijë franga ari për ndërtimin e shkollës industriale.
Në ato kohë në Shqipëri kishte edhe shumë “oligarkë” të tjerë të ngjashëm me Turtullin – në Tiranë, Shkodër, Elbasan etj. Dhuratat e këtyre kapitalistëve të vërtetë dhe filantropë të mëdhenj njëkohësisht janë ende në këmbë dhe spikasin, por emrin që jua fshiu regjimi komunist, askush nga “regjimi demokratik” nuk kujtohet tua kthejë. Madje as i kujtojnë!
Dhe ky censurim, e ka një kuptim. Përball atyre kapitalistëve dhe aristokratëve të parë të Shqipërisë, oligarkët e Ramës do të dukeshin si kaçakë karvanësh. Kurse ai vetë me gjithë çetën e tij të korruptuar, si xhepistë legenë!