Pesë zyrtarë të Partisë Sociademokrate janë shoqëruar në stacionin e Policisë, pas një aksioni që kanë mbajtur te objekti i Qeverisë së Kosovës.
Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.
Borovci ka thënë se ata kanë hedhur ngjyrë dhe gjësende të tjera në drejtim të objektit të Qeverisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
“Rreth orës 14:30 është pranuar informata për një aktivitet të paparalajmëruar nga një grup personash të cilët kanë hedhur ngjyrë dhe gjësende të tjera në drejtim të objektit të Qeverisë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Me qëllim të parandalimit të degradimit të mëtejmë të veprimeve të tilla policia ka reaguar duke shoqëruar në stacionin policor pesë persona ndaj të cilëve konform autorizimeve policore dhe në koordinim me prokurorin e shtetit po ndermerr veprimet e duhura para se të njejtit të procedohen në fazën vijuese”, ka thënë Borovci.
Ndryshe, Partia Socialdemokrate ka mbajtur sot aktivitet në oborrin e objektit të Qeverisë.
Zyrtarë të kësaj partie kanë hedhur ngjyrë të kuqe në drejtim të objektit të Qeverisë si dhe kanë vendosur mbishkrime “Gjakderdhje financiare”.
Zëdhënësja e kësaj partie, Natyra Kuqi ka konfirmuar për Express se të arrestuar janë: Zgjim Hyseni, Nol Nushi, Frashër Krasniqi, Qëndrim Sahiti dhe disa të tjerë.
“Policia e Kosovës së bashku me Njësitin Special kanë sulmuar aktivistët e PSD-së, ku mbetën të arrestuar: Nol Nushi, Frasher Krasniqi, Zgjim Hyseni, Qendrim Sahiti dhe të tjerë. U sulmuam me gaz lotësjellës të gjithë që ishim aty”, ka thënë ajo.