Si Kryeministër i ardhshëm i një vendi me shumicë muslimane dhe një vendi me Islamofobi të theksuar, z. Albin Kurti duhet t’i sigurojë qytetarët e Kosovës se qeverisja e tij nuk do të ndjekë hapat e paraardhësve, por do të ndërmarrë politika konstruktive në luftimin e Islamofobisë dhe çdo lloj forme racizmi në shoqëri, duke ndërtuar një shtet të së drejtës në mënyrë që çdo qytetar ta ndiejë vetën të barabartë dhe pjesë e pandashme.
Prej shumë vitesh muslimanët në Kosovë përballen me një rritje të Islamofobisë. Raporti i fundit mbi Islamofobinë në Europë e rendit Kosovën ndër vendet me racizmin anti-musliman më të ashpër në kontinent. Ngjan pak si e paradoksale, sidomos kur e mendon se shumica e popullsisë së Kosovës (mbi 95%) i përkasin besimit Islam. Megjithatë, kjo nuk i ka penguar drejtues të lartë të shtetit, krerë e anëtarë të partive të ndryshme në Kosovë dhe mediat në veçanti që ta kthejnë urretjen kundër Islamit dhe muslimanëve në një industri fitimprurëse dhe armë politike.
Shumë gazëtarë kanë bërë karrierë me Islamofobinë. Madje janë shpërblyer edhe duke i bërë anëtarë të partive në pushtet. Ndërkohë, politikanët vazhdimisht kanë përdorur retorikë Islamofobe me qëllim për të qënë më të pranuar në qarqet euroatlantike. Roli i identiteti musliman të shumicës së popullsisë vazhdimisht është nënvlerësuar e madje mohuar nga qeveritarë të ndryshëm.
Z. Kurti duhet të dëshmojë se ka vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me të gjitha palët për ta luftuar këtë fenomen dhe plagë të shoqërisë kosovare.
Diskriminimi sistematik anti-musliman ka patur impakti negativ edhe në punësim dhe arsimim. Sipas raporiti të sipërpërmendur, muslimanët janë të margjinalizuar në tregun e punës, sidomos në sektorin publik. Ndërsa në arsim, nxënësve u paraqitet një narrativë sipas së cilës shqiptarët janë europianë të cilët nuk kanë asnjë lidhje me lindjen, duke nënkuptuar këtu dhe Islamin, i cili shihet prej islamofobëve si “lindor”.
Ndërkohë që institucionet arsimore sigurohen në maksimum që asnjë material me përmbajtje fetare islame të mos depërtojë në bankat e shkollave, kjo nuk vlen për materialet propaganduese të krishtera, të cilat e kanë gjetur derën e hapur për te nxënësit, ku shumica e tyre janë muslimanë.
Duke parë natyrën strukturore të Islamofobisë në Kosovë, roli i shtetit në adresimin e këtij fenomeni është mëse i domosdoshëm.
Por, si kryeministër i ardhshëm i një shteti në ndërtim dhe një shoqërie akoma në tranzicion, z. Kurti do t’i duhet më shumë se forca e ligjit për të luftuar këtë fenomen negativ.
Propaganda islamofobe dhe shpifjet ndër vite kanë shkaktuar një dëm të madh në kurriz të muslimanëve dhe fesë Islame në Kosovë. Ato duhet të luftohen me një strategji afatgjatë dhe efikase e cila kërkon angazhimin e shtetit në bashkëpunim me aktorët e ndryshëm në shoqëri. Ndonëse ka pasur përpjekje nga grupe dhe organizata të ndryshme të shoqërisë civile për ta adresuar problemin e Islamofobisë, ato të vetme nuk kanë qenë të mjaftueshme.
Gjithashtu, është koha që politikat dhe burimet financiare të shtetit, të përdorura deri tani për të krijuar armiq të paqenë dhe fantazma me petk fetar, të zhvendosen në luftimin e problemeve reale në shoqëri. Pra atyre problemeve që na shqetësojnë të gjithëve. E Islamofobia është ndër to.
Të jeni të bindur se luftimi i Islamofobisë është ndër pritshmeritë që shumë qytetarë të Kosovës do të kenë nga Vetvendosja.
Po ashtu, qeveria e re duhet të rishikojë kurrikulat arsimore, të mbikqyrë sjelljet diskriminuese të nëpunësve të shtetit, të punëdhënësve, të rishikojë strategjitë në luftimin e ekstremizmit dhe të shmang çdo lloj gjuhe përçarëse.
Islamofobia në Kosovë është kthyer në një formë racizmi të pranuar. Kjo padyshim është në dëm të të gjithë shoqërisë, jo vetëm të muslimanëve. Por muslimanët nuk mund ta luftojnë këtë fenomen të vetëm. Luftimi i islamofobisë është një përgjegjësi kolektive e të gjithë shoqërisë, më në krye shtetin.
Islamofobia dhe çdo formë tjetër racizmi është një sirenë alarmi për të gjithë. Duhet ta luftojmë atë përpara se të jetë tepër vonë. Luftimi i Islamofobisë është ndër pritshmeritë që shumë qytetarë të Kosovës kanë nga Vetvendosja.
Qeveria e re më në krye z. Kurti duhet të jetë në ballë të luftës kundër racizmit anti-musliman, i cili mund të thuhet se është njëkohësisht dhe racizëm anti-shqiptar duke marrë parasysh përqindjen e muslimanëve. Heshtja, në asnjë rast nuk duhet dhe as nuk mund të jetë një opsion.
Kryeministri i ri duhet të dërgojë një mesazh të qartë te qytetarët se Islamofobia është e papranueshme nën udhëheqjen e tij. Ai duhet të dëshmojë se ka vullnetin e mirë për të bashkëpunuar me të gjitha palët për ta luftuar këtë fenomen dhe plagë të shoqërisë kosovare.
Sidoqoftë, koha do të jetë dëshmitare e asaj se çfarë do të ndodhë.