Kreu i PD, Lulzim Basha ka dalë në një komunikim për mediat nga selia blu, ku ka folur për procesin e numërimit të votave dhe rezultatin e deritanishëm.
Gjatë fjalës së tij ai theksoi se kemi të bëjmë me një humbje të thellë të PS në këto zgjedhje teksa tha se socialistët janë ndëshkuar në ato vende që ata i quajnë bastionet e tyre.
“Së pari dua t’ju falënderoj të gjitha mediave që keni bërë një punë të jashtëzakonshme. Siç e dimë të gjithë qendrat e para që numërohen janë qendrat që favorizojnë partinë në pushtet. PS ka humbur thellë numrin e votave kudo ku janë hapur këto kuti që ishin shënuar. Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të PS dhe me një rritje të votave për PD dhe koalicionin për ndryshim. Ky është vetëm fillimi. Deri sa janë ndëshkuar në ato që i konsideronin bastione, presim që vota për ndryshim të vazhdojë. Ata që e dinë fare mirë se me projeksionet aktuale çfarë i pret në kutitë e tjera t’i lënë lojërat. Janë ata që përpiqen të bllokojnë numërimin në Durrës e kudo tjetër, le të vazhdojnë numërimin. Vazhdoni punën sipas ligjit me përgjegjësi, vullneti i popullit është në ato kuti. Në fund të këtij numërimi ndryshimi do të jetë i prekshëm për të gjithë”, tha Basha.
Më tej ai iu bëri thirrje komisionerëvë që të vazhdojnë numërimin.