Ahmed Kalaja, imami i xhamisë te Rruga e Kavajës, ka reaguar pas ngjarjes së rëndë ku 5 persona u plagosën me thikë brenda ambienteve të xhamisë.
Imami i xhamisë “Dine Hoxha” në Tiranë, Ahmed Kalaja ka reaguar pas sulmit në këtë objekt kulti, ku mbetën të plagosur pesë persona.
I përlotur, Imami sqaron se një person u fut brenda xhamisë dhe ka goditur me thikë besimtarët. Gjithashtu autori siç thotë Ahmed Kalaja ka goditur edhe kalimtarë të rastit në rrugë.
Imami në një mesazh në rrjetet sociale shprehet se shpreson se kjo që ka ndodhur të mos jetë sulm terrorist.
“Sot pas dreke nga ora 14:00 pranë xhamisë Dine Hoxha një njeri i armatosur godet besimtarët brenda xhamisë. Nuk mjaftohet vetëm me goditjen e besimtarëve por edhe njerëzit që ishin në rrugë. Faleminderit Zotit që është arrestuar. Falënderoj besimtarët që kanë reaguar pozitivisht ndaj situatës. Nuk ka asgjë për tu shqetësuar. Lus Zotin të shërojë vëllezërit tanë që janë plagosur. Shpresoj shumë që të mos jetë akt terrorist, por njeri me të meta mendore që ka bërë një gjë të tillë. shpresoj që për punë orësh xhamia do të kthehet sërish në gjendjen e saj të mëpërparshme. Zoti i madh lëshoftë mbi ne mëshirë dhe paqe, largoftë nga ne njerëz që janë me probleme, “ ka thënë Kalaja.