Muftiu i Kosovës, Naim Tërnava mbrëmë ishte mysafir në emisionin “Personale”, ku foli gjerë e gjatë mbi veprat patriotike që i kishte bërë gjatë jetës së tij, përcjell Gazeta Mejdani.
Që në fillim të emisionit ai bëri një përshkrim të historisë shqiptare, duke thënë se populli shqiptar ka vuajtur shumë prej sundimtarëve të huaj.
Përgjatë fjalës së tij, Muftiu Tërnava potencoi se shqiptarëve iu shkaktuan vuajtje të shumta nga osmanët dhe serbo-sllavët. E para tyre, siç tha ai, vuajtje iu kishin shkaktuar edhe romakët dhe bizantinët.
“Fatkeqësisht, kombi shqiptar nëpër shekuj ka vuajtur shumë. Ka pasur sundimtarë të ndryshëm, duke filluar prej romakëve, pas tyre bizantinët, pastaj osmanët, sllavët e kështu me rradhë. Apo si i themi ne serbët“, tha Muftiu Tërnava.
Në vazhdim ai shtoi: “Ky popull ka vuajtur shumë prej këtyre sundimtarëve, jashtë zakonisht shumë. Të parët tanë, gjyshërit e stërgjyshërit tanë janë rrahur, burgosur e janë malltretuar shumë“.
Për më tepër, përgjatë emisionit, ai foli edhe për kontributin e hoxhallarëve dhënë në luftën e fundit ku përmendi me numër hoxhallarët që morën pjesë aktive në luftë e disa prej tyre edhe ranë dëshmorë.