Me të ardhur në Kryeministri, Albin Kurti, kishte vendosur që Enver Dugolli të jetë numri dy i Ministrisë së Mbrojtjes, kjo pasi që ky i fundit nuk kishte arritur të siguronte votat e mjaftueshme për deputet pas zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Por, nuk kaluan më shumë se katër ditë nga emërimi i tij, KQZ-ja vendosi sot që ai të jetë njëri nga zëvendësuesit e deputetëve që u emëruan ministra.
Kjo ka bërë që Dugollit t’i mbetet të zgjedh mes të dy pozitave të rëndësishme.
Lexo Edhe:
Milaim Zeka: Specialja do të arrestojë shtatë apo tetë deputetë
Kelmendi për tërheqjen e Qunit: Mund të ketë marrëveshje
Mirëpo, ai tashmë veçse ka vendosur se cilën pozitë do ta mbajë. Dugolli ka thënë se do ta mbajë pozitën e deputetit dhe jo atë të zëvendësministrit.
“Unë tash e mora vesh edhe lajmin. Natyrisht që do të përcaktohem për pozitën e deputetit për shkak se kam garuar në listën e VV-së dhe e shoh veten në Kuvendin e Kosovës” ka thënë ai.
I pyetur se kur do ta njoftojnë largimin e tij nga Ministria e Mbrojtjes, Dugolli theksoi se do ta ndërmarr këtë hap për t’u bërë pjesë e Kuvendit.
“Patjetër që do të bëj dhe do të ndërmarr hapat e duhur edhe të nevojshëm që t’i hap rrugë rrugëtimit tim në Kuvend si deputet i kësaj legjislature”, ka shtuar tutje.
E për fokus si deputet, Dugolli tha se do ta ketë fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes
“Meqë kam ‘background’ ushtarak dhe dal nga ministria e Mbrojtjes . Fokusi im kryesor do të jetë avancimi i politikave të mbrojtjes dhe të sigurisë, në mbështetje të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të FSK-së”, ka deklaruar Dugolli për Express. Në ndërkohë kryeministri Kurti më 27 mars të këtij viti ka marr vendim për emërimin e katër zëvendësministrave, ndër ta edhe Dugolli.
“Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në javën e parë të marrjes së detyrës i ka emëruar katër zëvendësministra, të cilët i ka uruar për pozitën e re dhe u ka dëshiruar suksese në plotësimin e synimeve dhe përgjegjësive të tyre. Zëvendësministrat e emëruar janë: Z. Hysen Durmishi, zëvendësministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës . Enver Dugolli, zëvendësministër i Mbrojtjes Z. Blerim Sallahu, zëvendësministër i Drejtësisë Z. Ilir Aliu, zëvendësministër i Financave, Punës dhe Transfereve”, thuhej në njoftimin nga Zyra e Kryeministrit.
Aktgjykimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese lidhur me zëvendësimin e deputetëve, ka bërë që KQZ-ja të rishqyrtojë edhe një herë rekomandimet për kandidatët e radhës për deputetë, pas kërkesës nga ushtruesi i detyrës së Presidentit.
Zëvendësimi i deputetëve sipas votave dhe jo sipas gjinisë (bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese) ka sjellë ndryshim të emrave të kandidatëve që rekomandohen për zëvendësimin e deputetëve që u bënë ministra.
Nga Lëvizja Vetëvendosje do të jenë dy emra të rinj, Ekrem Mustafa dhe Enver Dugolli, të cilët do të zëvendësojnë dy deputetë që u bënë ministra.
Në vend të Mustafës dhe Dugollit, në fillim ishin Yllza Hoti e Gresa Bytyqi.