Ndoshta tingëllon ironike, por sikur të pyetej formalisht Bashkimi Evropian, Kosova nuk do të duhej të kishte ambasadë në asnjë shtet. Sepse për BE-në Kosova nuk është shtet. E vetëm shtetet mund të kenë ambasada.
Shkruan: Augustin Palokaj
Është e kuptueshme që BE-ja shpreh qëndrimin e vet për statusin e Jerusalemit. Por është i ekzagjeruar sulmi verbal ndaj Kosovës, ku janë bërë bashkë BE-ja, Turqia, Liga Arabe e Rusia për shkak të hapjes së Ambasadës në Jerusalem. Për habi, BE-së më pak i pengon lojaliteti i plotë i Serbisë ndaj Rusinë, sesa i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Një diplomat i Bashkimit Evropian, i cili ka shërbyer në delegacionin e BE-së në një vend të Afrikës së Veriut, para disa vjetësh tregonte në një takim miqsh se si ishte gjetur në siklet kur një zyrtar i atij shteti e kishte pyetur se cili ishte qëndrimi i BE-së për statusin e Kosovës. Ai zyrtar i kishte thënë se shtetet si Franca dhe disa vende të tjera po sugjerojnë që të njihet pavarësia e Kosovës, por nga Spanja, jo.
Pasi “linja” e BE-së ishte se “BE-ja është neutrale ndaj statusit”, ai, zyrtarit të vendit mikpritës, me detyrë zyrtare, ia ka përcjellë qëndrimin se nuk ka qëndrim. Prej atëherë e deri sot, ai shtet ende nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Pos ndihmës së madhe që kanë dhënë disa shtetet të BE-së për njohjen e Kosovës në fazën e parë, sidomos Britania e Madhe, Franca e deri diku edhe Gjermania, BE-ja jo vetëm se nuk ka ndihmuar, por ka penguar shumë në procesin e njohjeve. Së pari, duke dërguar sinjal nëpër botë se “nuk ka qëndrim” për një çështje kaq të rëndësishme evropiane siç është statusi i Kosovës, që ishte faza e fundit e shpërbërjes së një shteti përmes gjakderdhjes më të madhe në Evropën e pas-Luftës së Dytë Botërore. Së dyti, duke lejuar që dialogu i cili lehtësohet nga BE-ja të përdoret edhe për të penguar njohjen e Kosovës, por edhe për të tërhequr njohje. Sepse dialogu nga Serbia paraqitej si dëshmi se statusi i Kosovës “nuk është çështje e kryer”, e BE-ja asnjëherë këtë nuk e mohonte. Shumë shtete kanë përmendur si arsyetim se nuk e njohin Kosovën, sepse “po presin epilogun e dialogut” ose për të njëjtën arsye disa edhe e kanë tërhequr njohjen.
BE-ja si BE jo që nuk ka bërë asgjë në favor të njohjes së Kosovës dhe forcimit të subjektivitetit të saj ndërkombëtar, por edhe ka penguar. Sjellja e BE-së më shumë u është përshtatur qëndrimeve të pesë vendeve, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën, sesa atyre që e kanë njohur.
Para disa javësh, si rezultat i angazhimit amerikan, Kosova dhe Izraeli ishin pajtuar që të vendosnin raportet diplomatike. Pjesë e kësaj marrëveshjeje, pra edhe një lloj kushti, ishte që Kosova ta hapë ambasadën e saj në qytetin e Jerusalemit, një qytet statuti i të cilit është pjesë e mospajtimeve mes Izraelit dhe Palestinës. Pasi edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ambasadën e tyre në këtë qytet, Kosova po ashtu pranoi që ta bëjë këtë. Dhe e bëri. Sepse Kosova nuk e ka luksin më t’i thotë jo SHBA-së. E administrata e re amerikane po ashtu ka thënë se do ta ketë ambasadën në Jerusalem. Pra, duhet pritur që Ambasada e Kosovës të jetë aty ku është edhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ta marrim me mend po qe se një zyrtar shtetëror i Izraelit ta kishte pyetur ndonjë përfaqësues diplomatik të BE-së se “a ta njohim Kosovën si shtet apo jo”. Përgjigjja do të ishte se “BE-ja nuk ka qëndrim për këtë”.
Për habi, BE-ja nuk ka dyshim se Palestina duhet të jetë shtet. Kur flitet për qëndrimet e BE-së ndaj procesit të paqes, gjithmonë thuhet se BE-ja mbështet një zgjidhje “për dy shtete – Izraelit dhe Palestinës”. Në rastin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, BE-ja asnjëherë nuk ka përmendur “marrëveshjen si dy shtete”. Fjala “shtet” për Kosovën në BE zyrtarisht nuk është e lejuar. Së paku nuk e kemi parë në ndonjë letër e as dëgjuar në ndonjë deklaratë zyrtare të Bashkimit Evropian, me përjashtim të Parlamentit Evropian, i cili pasi vendos me parimin demokratik të shumicës, e konsideron Kosovën si shtet dhe kërkon nga të gjitha shtetet ta njohin atë.
Ndoshta tingëllon ironike, po, sikur të pyetej formalisht Bashkimi Evropian, Kosova nuk do të duhej të kishte ambasadë në asnjë shtet. Sepse për BE-në, Kosova nuk është shtet. E vetëm shtetet mund të kenë ambasada. Është e kuptueshme që BE-ja shpreh qëndrimin e vet për statusin e Jerusalemit. Por është i ekzagjeruar sulmi verbal ndaj Kosovës, ku janë bërë bashkë BE-ja, Turqia, Liga Arabe e Rusia për shkak të hapjes së Ambasadës në Jerusalem. Për habi, BE-së më pak i pengon lojaliteti i plotë i Serbisë ndaj Rusinë, sesa i Kosovës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Mund të besohet se edhe Kosova mbështet një zgjidhje për krizën në Lindjen e Mesme me një marrëveshje paqeje mes Izraelit dhe Palestinës. Ndonëse ky është një problem tepër i madh që Kosova të ketë ndikim në të. As Izraelit nuk do t’i ndihmojë shumë hapja e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem që t’i bindë edhe shtetet e tjera të botës që ta pranojnë këtë qytet vetëm si kryeqytet të Izraelit. E Kosova nuk ka asgjë as kundër aspiratave legjitime të popullit palestinez për liri dhe pavarësi.
Por ta quash veprimin e Kosovës për hapjen e Ambasadës së saj në Jerusalem si “largim nga përkushtimi për integrime evropiane” është jo vetëm e padrejtë, por edhe e pasaktë. Sepse Kosova nuk ka ndonjë proces të integrimeve evropiane, nëse me këtë kuptohet anëtarësimi në BE, nga i cili do të mund të largohej. Së dyti, Kosova është ndër shtetet ku popullata mbështet më së shumti BE-në, shumë më shumë se në cilindo shtet tjetër të rajonit. E në anën tjetër nuk ka asnjë shtet ndaj të cilit BE-ja nuk është treguar aq shumë e kujdesshme si ndaj Kosovës. Është bërë shprehi se sa herë që parashtrohet pyetja e mosrespektimit të premtimeve nga BE-ja për Kosovën, zyrtarët në Bruksel të përmendin shifrat se sa ndihma kanë dhënë, sidomos financiare. Dhe këto shifra janë argument shumë i fortë dhe nuk mund të mohohet ndihma. Por BE-ja u ka ndihmuar dhe u ndihmon edhe vendeve të tjera. Por ato kanë liberalizim vizash, njohjen si shtete, kanë status kandidati, negociojnë anëtarësimin, kanë raporte diplomatike me BE-në. E Kosova nuk e ka asnjërën prej tyre, e as që do ta ketë në një të ardhme të afërt.
Kosova për BE-në është temë, rajon krize, prandaj edhe i ka jo një por dy “përfaqësues të posaçëm”. E përfaqësuesit e posaçëm zakonisht merren me rajone krizash, e jo me shtete të cilat kanë ndonjë perspektivë të vërtetë anëtarësimit në BE.
E gjithë kjo situatë ka bërë që Kosova ta dëshirojë BE-në, ta dojë atë shumë, por jo edhe t’i besojë shumë. Pas një interviste të përbashkët që për emisionin “Desku” në KTV me Agron Bajramin kishin pasur përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, dhe zyrtari i Departamentit Amerikan të Shtetit, Mathew Palmer, shikuesit me votat e tyre ishin shprehur me vetëm 7% se “absolutisht i besojnë BE-së” në procesin e dialogut, diku rreth 24 % se “absolutisht nuk mund t’i besohet”, por kur ishte ofruar përgjigjja se i besojnë “nëse edhe SHBA-ja është e pranishme”, atëherë mbështetja ishte rreth 70 për qind. Ky besim i kosovarëve në një proces ku do të bashkëpunonin SHBA-ja me BE-në do të duhej të ishte i mirëpritur edhe nga Brukseli, e jo të qortohet Kosova pse edhe politikën e jashtme, tash edhe ushtarake, e koordinon me Shtetet e Bashkuara.
Kur të vijë koha që Kosova të jetë në prag të anëtarësimit në BE, atëherë Kosova edhe mund ta rishqyrtojë, ndoshta edhe vendndodhjen e Ambasadës në Izrael apo në cilindo shtet tjetër. Por edhe kjo nuk duket se do të ishte ndonjë detyrim. Sepse, siç po na thonë për rastin e Kosovës, politika e jashtme dhe njohja e ndonjë shteti është vetëm çështje individuale. Të shpresojmë se Kosova shumë shpejt do të ecë drejt integrimeve në BE. Por të shpresojmë se zgjidhja e krizës në Lindjen e Mesme dhe marrëveshja mes Palestinës dhe Izraelit, me të cilën do të zgjidhej edhe statusi i Jerusalemit, të jetë edhe më e shpejtë. E derisa të anëtarësohet në BE, Kosova nuk ka asnjë obligim ta mbështetë BE-në në qëndrimet e saja rreth politikës së jashtme, nëse vlerëson se një gjë e tillë shkon në kundërshtim me interesat e Kosovës.