Nesër pritet që të konstituohet Kuvnedi i Kosovë edhe me shumë gjasë edhe Qeveria e re.
Mendime të shumta kanë qarkulluar në lidhje me atë se a ka të drejt u.d e presidentit ta mandatoj kryeministrin e ri.
Në lidhje me këtë çështje Indeksonline ka kontaktuar Visar Morina, profesor i së Drejtës Kushtetuese në Fakultetin Juridik në Universitetin e Prishtinës, po ashtu zv.anëtar në Komisionin e Venecias.
Morina në prononcimin e tij ka treguar se çfarë parasheh Kushtetuta e Kosovës lidhur me radhën kohore të zgjedhjes së Presidentit të Republikës dhe të Qeverisë, dhe nëse ushtruesi i detyrës së Presidentit ka të drejtë të caktoj mandatarin për formimin e Qeverisë?
“Kushtetuta e Kosovës ndjek një model të renditjes së organeve kushtetuese në atë mënyrë që fillimisht përcakton organizimin dhe kompetencat kushtetuese të Kuvendit të Republikës, si organ përfaqësues dhe legjislativ, për të vazhduar më pas me Presidentin e Republikës dhe Qeverinë si organe të pavarura kushtetuese”, u shprehë ai fillimisht.
Morina tutje shtoi se nuk ka asnjë pengesë kushtetuese që fillimisht të zgjidhet Qeveria e re pastaj presidenti.
“Megjithatë, kjo renditje kushtetuese e organeve të pushtetit qendror nuk përbën logjikë mbizotëruese interpretative se Kuvendi i Republikës duhet fillimisht të zgjedh Presidentin e Republikës, dhe tek më pas Qeverinë. Pa asnjë dyshim, ky do të ishte skenari më adekuat i mundshëm për faktin se një President i zgjedhur gëzon legjitimitet të plotë demokratik. Por nuk ka asnjë pengesë kushtetuese nëse Kuvendi i Kosovës bën zgjedhjen e Qeverisë sipas një procedure kushtetuese që vihet në lëvizje në bazë të dekretit të ushtruesit të detyrës së Presidentit për caktimin e mandatarit për zgjedhjen e Qeverisë. “
“Neni 84 para 14 i Kushtetutës së Kosovës përcakton se Presidenti i Republikës “cakton mandatarin për formimin e Qeverisë, pas propozimit të partisë politike ose të koalicionit, që përbën shumicën e Kuvendit” kurse neni 90 i Kushtetutës thekson në mes tjerash se përgjegjësitë kushtetuese të Presidentit të Republikës i ushtron Kryetari i Kuvendit për një periudhë kohore jo me tepër se 6 muaj kur posti i Presidentit mbetet vakant.”
“Pasi asnjë dispozitë e Kushtetutës së Kosovës dhe asnjë vendim i Gjykatës Kushtetuese e Kosovës nuk kufizojnë shprehimisht të drejtën e U.D. të Presidentit për të caktuar mandatarin për zgjedhjen e Qeverisë, mund të argumentohet se dekretimi i mandatarit për zgjedhjen e Qeverisë nga U.D. i Presidentit është tërësisht brenda parametrave të lejuar kushtetues por edhe të praktikës së deritanishme kushtetuese. Referuar kësaj të fundit, duhet nënvizuar se që në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, nr. K0103/14, Para. 67 dhe 77 i Aktgjykimit, Gjykata Kushtetuese atëkohë nuk kishte konstatuar asnjë pengesë kushtetuese kur ushtruesi i detyrës së Presidentit te Republikës caktoi z. Hashim Thaçin si kandidat për Kryeministër. Për më tepër ky aktgjykim e kishte njohur si praktikë të rregullt kushtetuese propozimin e kandidatit për Kryeministër nga UD i Presidentit të Republikës së Kosovës z. Jakup Krasniqi. Një ushtrim i një kompetencë të tillë madje mund të konsiderohet edhe absolutisht i domosdoshëm për të mos rrezikuar funksionimin adekuat të institucioneve kushtetuese të dala pas zgjedhjeve”, tha ai.
Në fund ai tha se roli i presidentit në një sistem parlamentar është arbitrues dhe formal por jo substancial.
“Në teorinë kushtetuese është e qartë se në një sistem parlamentar roli i presidentit në procedurën kushtetuese të zgjedhjes së Qeverisë është kryesisht arbitrues dhe formal dhe asnjëherë substancial. Në këto sisteme qeverisëse roli i shumicës parlamentare është esencial pasi vetëm përmes saj legjitimohet përfundimisht zgjedhja e Kryeministrit dhe të Qeverisë që drejton. Në disa shtete parlamentare, sikurse Suedia për shembull, këtë funksion e ushtron Kryetari i parlamentit, i cili pas konsultimit me udhëheqësit e partive në parlament, emëron një kandidat për kryeministër për tu votuar nga parlamenti. Kjo praktikë arsyetohet me faktin se Kryetari i Kuvendit ushtron rolin e përfaqësuesit të parlamentit dhe kjo kompetencë është mishërim i autoritetit të tij në parlament”, përfundoj ai.
Për momentin, u.d e presidentes është Vjosa Osmani që ishte Kryetare e Kuvendit në legjislaturën e fundit.
Kryetari i ri i Kuvendit të Kosovës pritet të jetë Glauk Konjufca, kurse kryeministri i ri, Albin Kurti.
Pretendente për të qenë presidente e re e vendit është Vjosa Osmanit. Deri më tani PDK dhe AAK kanë thënë që nuk do ta votojnë dhe se nuk do të ia bëjnë kuorumin kur të votohet.
LDK do të takohet përsëri me Osmanin javën që po vjen dhe pastaj do të vendosin.