Një prej njerëzve më të afër të Behgjet Pacollit dhe ish-kandidati për deputet, Jetlir Zyberaj, ka bërë një reagim tashmë kur po pritet që vetëm të caktohet ora e saktë për mbajtjen e seancës për votimin e presidentit.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Zyberaj thotë se dhjetë vite më parë Gjykata Kushtetuese e kishte rrëzuar Pacollin nga pozita e presidentit pas ankesës së Lidhjes Demokratike të Kosovës që u hartua me ndihmën e Vjosa Osmanit, e cila tashmë po kërkon votat për t’u bërë shefe e shtetit.
Ai thotë se një veprim i tillë i LDK’së dhe Vjosa Osmanit ishte joprofesional, jopolitik dhe dashakeqës.
Më poshtë postimi i plotë i tij:
Pikërisht në këtë kohë, para 10 vjetësh, në bazë të një vendimi të Gjykates Kushtetuese, Presidenti Pacolli u largua zyra e Presidentit të Kosovës.
Ishte VV, LDK dhe AAK që lëshuan sallën bashkë me keqorganizimin e qëllimshëm të seancës nga kryetari i Kuvendit atë kohë, që u mor si shkas i atij vendimi.
LDK bashkë me kontributin ligjor të Znj.Vjosa Osmani e derguan në Gjykatë. Sjellja e tyre ishte joprofesionale, jopolitike dhe dashakeqëse.
Një vendim i tillë, për mua absurd,(gjyqtarët ndërkombëtar atë kohë votuan kundër) e ka futur vendin tonë, demokracinë tonë të re në një qorrsokak pa asnjë lidhje.