Dokumente zyrtare të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë – UNMIK, të publikuara në mediat e Kosovës, tregojnë detaje tronditëse për vrasjet politike në Kosovë.
Në këto dosje të UNMIK-ut, flitet për vrasjen e Xhemail Mustafës, ish-anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe bashkëpunëtorit të presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, atë të Ekrem Rexhës, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe atentatin ndaj ish deputetit të LDK-së, Fetah Rudit.
Në këto dosje jepen me emra autorët që kryen vrasjen e Mustafës dhe Drinit, si dhe plagosën rëndë Rudin, i cili tash e 20 vite është në karrocë invalidi.
Në bazë të këtyre dosjeve të UNMIK-ut, organizatori i vrasjes së Drinit, Mustafës dhe plagosjes së Fetah Rudit është një ish-deputet i Kuvendit të Kosovës. Po ashtu sipas këtyre dosjeve, autorët e vrasjes së Drinit, Mustafës dhe plagosjes së Fetah Rudit ishin anëtarë të TMK-së dhe Policisë së Kosovës.
Por çfarë thotë Gjykata Speciale lidhur me publikimin e këtyre dosjeve, kur dihet se te tri rastet e lartpërmendura janë Brenda juridiksionit të Speciales?
Gazeta “Bota sot” ka kontakuar me zyrtarët e Dhomave të Specializuara dhe Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.
Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep është shprehuer se gjithcka është nën përgjegjësinë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Jack Smith.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar janë dy institucione më vete dhe gjithçka që lidhet me hetimet është nën përgjegjësinë e Zyrës së Prokurorit të Specializuar”, ka deklaruar zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep.
E zëdhënësi i zyres së Prokurorit Smith, Christopher Bennett ka thënë se kjo zyrë nuk i diskuton ato cfarë publikohen në media.
Faleminderit për komunikimin tuaj. ZPS-ja nuk diskuton për hetimet e saj në media. ZPS-ja gjithashtu e inkurajon këdo që ka informacione relevante të kontaktojë një prokuror të ZPS-së nëpërmjet kësaj lidhjeje të sigurt në internet: https://www.scp-ks.org/sq/zps/kontaktoni-nje-prokuror“, ka deklaruar Christopher Bennett.