Institucionet e shtetit serb vazhdojnë me të vjetrën. Pavarësisht marrëveshjeve që janë arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizim të marrëdhënieve ekonomike në Washington në praninë e presidentit në shkuarje Donald Trump dhe të deleguarit të tij Richard Grenell, Serbia nuk i merr parasysh, duke vazhduar kështu lobimin kundër Kosovës.
Traditën e ish-ministrit Ivica Daçiq është duke e vazhduar ministri i ri jashtëm serb, Nikola Selakoviq.
Selakoviq së fundmi ka kërkuar nga ambasadori i Katarit në Serbi, Shejh Mubarak Fahad al-Thani, të ndalojë lobimin ndërkombëtar në favor të Kosovës.
Selakoviq deklaroi se Serbia dhe Katari, përveç mosmarrëveshjeve për çështjen e Kosovës, nuk kanë çështje të hapura në marrëdhëniet dypalëshe, raportojnë mediat serbe, shkruan Telegrafi.
E ndaj kësaj fushate të egër e të vazhdueshme të Serbisë, Kosova si gjithmonë “mjaftohet” me disa reagime në rrjetet sociale.
Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla ka reaguar në Twitter duke shkruar se Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Washingtonit.
“Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Washingtonit- referuar kërkesave zyrtare dhe jo zyrtare për të mos njohur Pavarësinë e Kosovës. Është Ministria e Punëve të Jashtme duke bërë të kundërtën e asaj që Vuçiqi ka nënshkruar në Washington”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.
Në anën tjetër kryeministri në detyrë Avdullah Hoti ka thënë se, çdo masë e reciprocitetit tregtar që Serbia e drejton nga Kosova, do të veprohet njëjtë, por ndryshe Hoti kishte deklaruar kur ishte larguar reciprociteti dhe taksa ndaj Serbisë.