Nazlije Sherifi, 19 vjeçare nga Mitrovica e cila vuante nga një sëmundje e rëndë në veshka, u raportua se ka qenë e infektuar me COVID-19.
Ajo u përfshi dje në shifrat e vdekjeve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik.
Por, familjarë të saj dje kanë akuzuar Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik për mashtrim, pasi që sipas tyre ajo nuk ka qenë e infektuar.
“Falënderoj IKSHP për mashtrimet dhe montimin e rezultateve si ia do qejfi, do vij koha kur do demaskohen të gjithë ata që po tentojnë të bëjnë padrejtësi në këto ditë të rënda për ne”, kishte shkruar dje vëllau i Nazlijes.
Mirëpo, IKSHPK sot ka sqaruar rastin e 19 vjeçares, duke thënë se ajo ka qenë e infektuar me COVID-19, përkundër deklarimeve të familjarëve të saj.
Sqarimi i plotë:
Laboratoret e IKSHPK njoftojnë se mostra e pacientes N.Sh. (2001) nga Mitrovica fillimisht është dërguar në IKSHPK Prishtinë më datën 2 janar 2021 me kërkesën e Spitalit tëPërgjithshëm në Mitrovicë, përmes Qendrës Rajonale të Shëndetit Publik në Mitrovicë.
Pas testimit me Real Time PCR mostra ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2 dhe pasditen e 2 janarit 2021 rezultati i është përcjellur QRSHP në Mitrovicë dhe më pastaj autoriteteve në Spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë.
Një mostër tjetër e pacientës N.Sh. (2001), Mitrovicë, është dërguar në IKSHPK e referuar nga Mjekimi Intenziv Qendror, QKUK, Prishtinë me datën 3 janar 2021 dhe e njejta ka rezultuar pozitive në SARS-CoV-2.
IKSHPK njofton se mostrat e pacientes N.Sh. janë testuar sipas protokoleve të punës në laborator, si të gjitha mostrat tjera duke theksuar se IKSHPK nuk është institucion kompetent për përcaktimin e shkaqeve të vdekjeve të qytetarëve brenda spitaleve të Kosovës./Gazeta Mejdani/