Pas një vendimi të marrë nga Gjykata Kushtetuese, parlamenti duhet të shpërndahet dhe të caktohen zgjedhje të reja. Por ajo që duket si kaos i radhës, është gjithashtu shenjë që tregon për funksionimin e institucioneve, shkruan në një analizë të botuar në gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” Tobias Zick, njohës i rrethanave në rajon.
Albin Kurti Kryeministri i Kosovës i cili u rrëzua në pranverë, po përgatitet të kthehet në detyrë, pasi gjykata kushtetuese e vendit ka hapur rrugën për zgjedhjet e reja. Pak para Krishtlindjes, gjykatësit shpallën të pavlefshme zgjedhjen e pasardhësit të Kurtit në qeveri, Avdullah Hotit – një ekonomisti konservator që ishte zgjedhur si kryeministër në qershor me një shumicë të ngushtë parlamentare; 61 nga 120 deputetët e kuvendit kishin votuar për të.
Por, njëri nga këta 61 kishte qenë i dënuar për mashtrim një vit më parë – dhe për pasojë nuk kishte pasur të drejtë të merrte pjesë në zgjedhje, përcell albinfo.ch gazetën gjermane. Më 21 dhjetor, gjykatësit deklaruan se ai, rrjedhimisht as nuk duhej të kishte zënë vend në parlament . Si rezultat, qeveria aktuale nuk ka më shumicën e nevojshme të votave.
Anëtarë të partisë opozitare Vetëvendosje kishin ngritur padi kundër legalitetit të zgjedhjes së Hotit. Studiuesi i politikës, Florian Bieber, i cili drejton Qendrën për Studime të Evropës Juglindore në Universitetin e Graz-it, Austri, interpreton këtë gjykim si dëshmi se një pjesë thelbësore e strukturës shtetërore të Kosovës po jep fryte, përmes bashkësisë ndërkombëtare: Pra, vendi padyshim që ka një “gjykatë kushtetuese të pavarur”. Një arritje kjo aspak e zakonshme në rajon.
Me urdhërimin e zgjedhjeve të reja, po mbyllet një kapitull i ndërhyrjes së gjerë nga qeveria e SHBA në Ballkan. Presidenti në largim Donald Trump konsiderohet se, për të fituar pikë në fushatën zgjedhore si një politikan i huaj i suksesshëm, i ka shtyrë përpara negociatat midis Serbisë dhe Kosovës dhe ka caktuar një të dërguar special, ish-ambasadorin në Gjermani, Richard Grenell, përcjell albinfo.ch. Në pranverë, ai i kishte bërë presion Kryeministrit të sapo zgjedhur kosovar Albin Kurti, nga lëvizja e dikurshme qytetare Vetëvendosje, që të hiqte plotësisht taksën ndëshkuese prej 100 për qind për mallrat serbe, që ishte vendosur gjatë mosmarrëveshjes me fqinjin, në vitin 2018.
Kurti, megjithatë, i rezistoi insistimit të Grenellit dhe këmbënguli të vendoste vetë ritmin e zbutjes – gjithashtu në varësi të lëshimeve që duhej të bënte Serbia. Kur kryeministri i ri që dallohet me vetëbesimin që ka, i rezistoi planeve të Presidentit Hashim Thaçi për të vendosur gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të pandemisë koronare dhe kështu uzurpimin e qeverisjes de facto, u përshkallëzua mosmarrëveshja me partnerin e koalicionit, LDK-në konservatore. Kështu, deputetët e saj iniciuan votën e mosbesimit. Pas vetëm shtatë javësh në detyrë, Kurti u përmbys – shoqëruar nga ngazëllimi publik i Grenellt, i cili në prapavijë kishte bërë presion të madh për votim.
Që nga ajo kohë, Kurti pothuaj nuk ka lënë dyshime se priste të kthehej së shpejti në detyrë. “Unë kam humbur mbështetjen e gjysmës së deputetëve” pati thënë ai në një intervistë me SZ në shtator, “por mbështetja e popullsisë është dyfishuar” Nuk është rastësi që “forcat e regjimit të vjetër” kanë bërë aleatë kundër tij dhe partisë së tij Vetëvendosje; “Ata e dinë saktësisht se cilat do të ishin rezultatet nëse do të kishte zgjedhje të reja.”
Në atë kohë, Kurti ishte në rrugë për të takuar përfaqësues të diasporës kosovare në disa qytete në Gjermani dhe Zvicër, transmeton albinfo.ch gazetën SZ. Ai bënte fushatë për planet e tij për të kthyer në vend specialistë të kualifikuar që kishin emigruar nga Kosova – në mënyrë që ata të ndihmonin, në fusha si ndërtimi i një administrate civile të qëndrueshme. “Fitimi (kthimi) i trurit” në vend të “ikjes së trurit”, fitimi në vend të humbjes së talenteve – ky është një nga premtimet kryesore të fushatës së Kurtit krahas luftës kundër korrupsionit.
Në fakt, optimizmi për rizgjedhjen e Kurtit bazohet në disa rrethana të favorshme për të. Sipas sondazheve, popullariteti i partisë së tij kohët e fundit ka vazhduar të rritet; nëse do të ketë zgjedhje të reja – ndoshta në mes të shkurtit – Vetëvendosje mund të arrijë një shumicë në parlament, pa pasur nevojë për një partner të koalicionit.
Përveç kësaj, “regjimi i vjetër” i veteranëve të UÇK-së në Kosovë tani është dobësuar ndjeshëm. Ish-rivali kryesor i Kurtit, ish-Presidenti Hashim Thaçi, tani duhet të përgjigjet para Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë për me akuza të krimeve të pretenduara të luftës në vitet 1990, përcjell albinfo.ch analizën e gazetës prestigjioze gjermane. Thaçi kishte dirigjuar rënien e Kurtit së bashku me të dërguarin special të SHBA-së, Grenell.
“Fryrje erërash” nga SHBA në një drejtim të kundërt, ashtu sikur kishte ndodhur nën drejtimin e Trump-it nuk priten më në një të ardhme të parashikueshme. Duhet ditur se presidenti i zgjedhur, Joe Biden është një ekspert i dëshmuar i rajonit; Si senator në vitet `90, ai kishte bërë fushatë për ndërhyrje ndërkombëtare kundër Agresionit serb, përcjell abinfo.ch. Para zgjedhjeve presidenciale të këtij viti në SHBA, Albin Kurti u kërkoi të gjithë votuesve me të drejtë vote, me rrënjë kosovare të votojnë për Bidenin.
“Një Albin Kurti i rizgjedhur” prandaj, do të kishte një partner të preferuar nga pala e SHBA -së, partner i cili, ndryshe nga paraardhësi i tij Trump, nuk pretendon të shkaktojë trazira shtesë në rajon me planet për të shkëmbyer territoret midis Serbisë dhe Kosovës bazuar në kriteret etnike.l,net.