Nënkryetari i OVL UÇK-së, Nasim Haradinaj ka mbajtur fjalim sot në Gjykatën Speciale.
Haradinaj ka shpërthyer në akuza ndaj Prokurorisë së Specializuar, duke e quajtur të korruptuar.
Tutje, Haradinaj ka thënë se Prokuroria e Specializuar po do që ta heq fajin nga vetja e saj dhe ta hudh diku tjetër.
“Para se të deklarohem: Për mu dhe atë që ka një pikë logjikë, s’ka si kuptohet ndryshe vetëm se si kjo prokurori po do ta heq vëmendjen nga vetja e saj dhe po kërkon fajin diku tjetër. Siç edhe po shihet këtu, Kosova dhe qytetarët janë fajtorë. Ne duhet të përgjigjemi se pse u dolën sekretet e tyre. Ato ishin me mijëra fletë. OVL s’ka pasur qasje, dhe s’mund të fajësohet për nxjerrjen nga sirtarët. Në vend timin do të duhej të ishin kolegët e kësaj prokurorie apo ndonjëri nga vet këta”, tha ai.
Madje tha se kjo që po ndodhë tani është çmenduri.
“Nga ne nuk keni çka pritni apo befasoheni sepse ka qenë publik. Mohimi i faktit duke anashkalu se kush i nxori nga sirtarët e prokurorisë këto dokumente, e kush i solli në selinë tonë, e të mbahemi ne fajtor është çmenduri dhe aspak drejtësi. Kjo është absurd i kësaj prokurorie në këtë shekull . Kjo prokurori është selektive, dhe e njëanshme. Me këtë veprim të tyre, po dyshoj që është edhe e korruptuar, sepse nuk do t’u dilte ndryshe gjithë ai material. Kjo prokurori haptaz po mundohet që të njollosë UÇK-në, e të dënojnë përfaqsuesit e veteranëve”, deklaroi tutje Nasim Haradinaj.