Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se kjo parafushatë zgjedhore ka filluar keq duke thënë se kundër kandidates së kësaj partie për kryeministre po përdoren gënjeshtra dhe montime.
“Ka filluar keq! Mos veproni me mjete te ulëta, e mos u shërbeni me gënjeshtra e montime kundër Vjosa Osmanit, kandidate për Kryeministre nga LDK.
Nëse keni kurajo, garoni me mjete demokratike, mos shpenzoni para për ekspertë e prodhues të gënjeshtrave nga vendet e tjera”.
Ai ka kërkuar që kjo garë të jetë fer.
“Gara jonë duhet të jetë garë fer, demokratike, e argumentuar dhe jo fushate e militantëve që shpërndajnë akuza e gënjeshtra të rrezikshme për kandidaten tonë dhe të dëmshme për vendin”.
Mustafa nuk ka përmendur emra se kujt po i referohet, por ka thënë se nuk e luftojnë korrupsionin ata që shpërndajnë lajme korruptive.
“Nuk e luftojnë korrupsionin ata që kanë para të vjedhura për të paguar ekspertë të gënjeshtrave. Nuk e luftojnë korrupsionin ata që ushtrojnë ndikim te organet e drejtësisë për të hapur procese gjyqësore për njerëzit e kundërshtarëve politik në kohën kur fillon procesi zgjedhor. Këtë e bën vetëm shteti i kapur dhe kapësit e shtetit. Por, çdonjërit do t’i vjen koha dhe momenti të japë përgjegjësi”.
Discussion about this post