Themeluesi i Microsoft nxiti popullsinë të respektonte masat sanitare për të shmangur 200,000 vdekje të tjera shtesë, të paktën, derisa vaksina të mund të shpërndahet gjerësisht.
Në ditët e fundit, numri i COVID-19 në SHBA është ngritur në qiell, duke thyer rekorde historike.
Më 11 dhjetor, u regjistrua numri më i madh i rasteve të reja që nga fillimi i pandemisë, me një total prej 247.737 infeksionesh në 24 orë. Në të njëjtën ditë, u arrit edhe numri më i lartë i vdekjeve ditore, me 3,261 vdekje. Dhe ndërsa shifrat janë alarmante dhe shqetësuese, më e keqja mund të mos ketë mbaruar ende, transmeton Telegrafi.
Në një intervistë me CNN, themeluesi i Microsoft, Bill Gates, foli për situatën nëpër të cilën po kalojnë SHBA dhe paralajmëroi se në muajt e ardhshëm vendi mund të përballet me fazën më vdekjeprurëse të pandemisë, të paktën, derisa vaksinat të mund të shpërndahen gjerësisht në mesin e popullatës.
“Fatkeqësisht, katër deri në gjashtë muajt e ardhshëm mund të jenë më të këqijtë e pandemisë. Parashikimi i Institutit për Metrika dhe Vlerësim të Shëndetit (IHME) tregon se do të ketë edhe 200,000 vdekje të tjera. Nëse do të ndiqnim rregullat, kur bëhej fjalë për mbajtjen e maskave dhe mos përzierjen, mund të shmangnim një përqindje të madhe të atyre vdekjeve. Në terma afatshkurtër, ky është një lajm i keq”, tha ai .
Përveç kësaj, manjati shpjegoi se kur ai bëri parashikime në 2015 në lidhje me pasojat globale që mund të shkaktojë një pandemi, ai bëri llogaritjet duke menduar se performanca e SHBA-së do të ishte më e mirë se ajo që ka treguar deri më tani.
“Mendova se SHBA do të bënte një punë më të mirë duke e menaxhuar atë. Në përgjithësi, kur bëra parashikimet në 2015, thashë që vdekjet mund të ishin më të larta. Pra, ky virus mund të jetë më vdekjeprurës sesa është. Ne nuk jemi në rastin më të keq. Por ajo që më ka befasuar është se ndikimi ekonomik në SHBA dhe në të gjithë botën ka qenë shumë më i madh se parashikimet që bëra pesë vjet më parë”, tha ai.