Sandër Lleshaj ka bërë deklarimin e parë pas dorëzimit të dorëheqjes nga pozita e Ministrit të Brendshëm të Republikës së Shqipërisë.
Në një tekst të gjatë, Lleshaj ka thënë se ky vendim i tij vjen si shenjë e ndarjes së dhimbjes se familjen e të qytetarit të vrarë dje.
“E di fort mirë se shumëkush nuk është dakord sot me këtë vendim. Por megjithatë dëshiroj t’i garantoj ata se vendimi im vjen pikërisht në respekt të tyre dhe aspak si reagim ndaj atyre që e shajnë, shëmtojnë, vjedhin apo e djegin këtë vend.
Vendimi im vjen si njeri e si prind që ndan modestisht dhimbjen me prindërit e fëmijët e familjes së Klodian Rashës,por edhe si shprehje mirënjohjeje e respekti për ata që më besuan, mbështetën, inkurajuan e që janë fatmirësisht shumica qytetare e Shqipërisë”, ka shkruar Lleshaj në Facebook.
“Janë këto arsye që më kanë bindur se TANI ËSHTË MOMENTI për të mbyllur një kapitull angazhimi në krye të Ministrisë së Brendshme, me brengë në shpirt për humbjen e padrejtë të jetës së një djali të ri, i qetë për trajtimin e drejtë të ngjarjes dhe krenar për vendosjen e një standardi diametralisht të kundërt me atë të autorëve të 21 janarit 2011. Edhe sot jam përballë dilemës së fillimit, por në një kuptim tjetër. Nëse në fillim e pranova këtë post për të mos treguar dobësi, sot, në rrethanat e krijuara, dobësi do të ishte ngulmimi për të qëndruar”.
“Përgjatë më shumë se dy vjetëve në krye të Ministrisë së Brendshme, u përpoqa dhe arrita të ndryshoj për mirë shumë gjëra dhe e mbyll misionin tim me rekordet më të mira historike në fushën e rendit dhe të sigurisë publike në 30 vjetët e fundit të historisë së Shqipërisë”.