Për Nanën e cila është super e lodhur. Për Nanën e cila thotë që ka bebën/fëmijën më të ‘vështirë’ apo zor të menaxhueshëm se sa të tjerët (të paktën se sa ata që i njeh ajo).
Shkruan: Merjem Gashi
Për Nanën që e do pafundësisht dhe pa kushte bebën e saj po që ka nevojë të flas e të tregoj se beba e saj është më ndryshe se sa bebet e tjera dhe të mos para/gjykohet për këto “ankesa”.
Për Nanën që literalisht NUK MUND TË BËJ ASGJË për veten e saj. Për Nanën dita e së cilës përfundon për pa e parë as edhe një herë të vetme veten në pasqyrë. Për Nanën e cila nuk është ë ngopur gjumë me muaj apo vite. Për Nanën e cila e ka të vështirë çdo proces të thjeshtë dhe të domosdoshëm për beben e saj (të vënit në gjumë, të ushqyerit, të veshurit, të mbathurit, të ndërruarit e pelenës, e të ngjashme).
Për Nanën që qysh nga momenti i lindjes nuk e ka ndjerë vetën asnjëherë të mjaftueshme për askënd dhe për asgjë. As për veten e saj.
Nëse për diçka jemi me fat ne sot, jemi për mundësinë e qasjes së lehtë në informacione të shumta mbi zhvillimin e bebeve dhe fëmijëve. Kaloi një vit dhe historia në telefon është e mbushur me temat mbi bebet dhe prindërimin. Duke u munduar ta njoh dhe kuptoj më mirë bebën timë fillova të lexoj mbi karakteret dhe temperamentet e bebeve. Voila. Eurekaa. E gjeta. Gjetën përgjigje shume pyetje, shumë shqetësime. Beba ime qenka bebe me kërkesa apo nevoja më të larta se sa bebet e tjera. Përkonte qind për qind me “bebat e vështira”, apo “high needs baby”. Këtu duhet bërë dallimin mes bebeve me nevoja të larta dhe nevoja të veçanta.
Pse nuk fle mirë, pse nuk e do gjumin, pse e ka aq te lehtë dhe pa orar gjumin, pse qan “pa arsye”, pse nuk rri as një minutë vetëm, pse nuk mundet aspak pa mua? Pse refuzon cdo gjë? Pse e ka të vështirë të adaptohet në ambiente të reja? Sepse ka nevojë më shumë për mua, sepse është më senzitiv se bebet tjera, sepse prania ime e qetëson.
Nëse e njeh një Nanë që ka një fëmijë të tillë, aman mos i thuaj se “po e lazdron/i”, e as mos gaboni t’i thoni “lere le te qaj se nuk ke çka të bësh”. Nuk ndalet. E qajtura e një bebeje të tillë do të thotë kërkesë emergjente. Ose e merr dhe e qetëson ose situata eskalon për të dy palët. Ti zgjedh.
Një bebe me kërkesa të larta nënkupton edhe një Nanë me kërkesa të larta. Një Nanë që ka nevojë më shumë për t’u kuptuar e jo paragjykuar.
Mos i thoni kësaj Nane se ‘ne i kemi rritur nga 5 a 6 fëmije e ti me 1 fëmijë po ankohesh e po izolohesh”. Kush e do izolimin? Më thuaj!
Amësia qenka e vështirë sido që t’i kesh fëmijët. Shumë përgjegjësi, shumë lodhje, shumë pikëpyetje, por edhe shumë dashuri e shumë kënaqësi. Ama nëse ke një fëmijë me kërkesa të mëdha dhe vështirë të menaxhueshëm, beso që me një fëmijë harxhohesh në çdo aspekt. Dikush nuk kupton aspak, dikush di të bëj empati, ama vetëm Ajo që ka të njëjtën bebe të kupton më së miri.
Unë u njoha me Nëna dhe bebe të tilla shumë rastësisht në rrjetet sociale. Ohhh thash, MË NË FUND dikush po bën një jetë identike si timen.
Me aq sa jam duke parë, paska bebe dhe bebe. Jam duke i vëzhguar bebet që po i njoh si dhe njëkohësisht edhe Nanat e tyre. Te asnjëra nuk e shoh lodhjen e njëjtë. Secila ka një kohë për vete. Secila ka mundësi t’ia lerë fëmijën dikujt dhe të dal me shoqe apo me burrin te kalojnë pak kohë vet. Bebet e vështira këtë nuk e lejojnë. Ato nuk rehatohen me askënd tjetër përpos Nanës e Babit. Ne e kemi të vështirë të dalim jashtë edhe me bebën për një kohë të gjatë.
Kjo Nanë nuk po viktimizohet, e as nuk është duke kërkuar dhembshuri. Kjo të paktën nuk do që të kritikohet pse nuk po del, pse nuk po thërret, pse nuk po fton mysafir në shtëpi, pse është e lodhur, pse nuk po bën diçka për vete, pse nuk po angazhohet në diçka.
Nuk pijnë ujë këtu mendimet e psikologjisë poztive. Edhe ajo është në dijeni që nuk është fundi i botës dhe çdo gjë do të merr fund një ditë. Kur, as ajo nuk e di. Kjo e bën edhe më të vështirë dhe të frikshme besa gjithë punën. “Mjafton të duash se do ia arrish”. “Nuk po do se mundesh”. Aha. Aha. Ani. Hajde edhe shihe nje 24 orësh timin dhe pastaj mund të flasim.
Pse e pashë të arsyeshme të shkruaj? Sepse unë kam lexuar dhe kam kërkuar shumë për ta kuptuar bebën time dhe për të gjetur metodën më të mirë të bashkëpunimit me të. Ndoshta edhe dikush prej jush e ka një bebe të tillë. Sigurisht që e ka. Te këto bebe prindërimi luan rol të madh. Nëse i dëgjojmë të tjerët kur na thonë “leje le të qaj”, dhe kështu nuk iu përgjigjemi kërkesave të tyre atëherë gjasat që këta fëmijë të kenë çrregullime në personalitet janë të larta. Ai qan se kërkon diçka prej teje ose thjesht ka nevojë ta mbash ne duar. Nëse ti nuk i përgjigjesh, ai humb besimin në ty. Kështu i humb besimi ngadalë edhe në personat tjerë.
“Aii sa shumë po dini ju të rinjtë”, na thonë kur iu tregojmë për ndonjë studim. Shyqyr që po dimë. Shyqyr që po kemi qasje në informata e po i njohim bebet tona më mirë. Studimet gjithashtu po thonë që nëse i qasemi si duhet ketyre femijeve atehere keta do te jene shume te pavarur dhe te suksesshem ne jeten akademike.
Mos paragjyko, mos gjyko, mos kritiko, mos kërko. Nuk je në lëkurën e saj. Nëse ke bebe që bën gjumë të mirë dhe të lë të flesh mirë, je me fat. Gëzoju këtij fakti. Jo të gjithë kanë fatin tend.