Për shkak të përhapjes së COVID-19 në të gjithë botën, fëmijët janë prekur nga mbyllja e shkollave, distancimi social, ndryshimi i rutinave, etj. Në këtë situatë të vështirë për të gjithë, fëmijët përjetojnë ankth, frikë, konfuzion dhe këto përjetime mund të kanalizohen në shfaqjen e sjelljeve sfiduese.
Ndoshta dy javët e para të izolimit kanë kaluar më qetë, pasi fëmijëve iu është dhënë mundësia të ndalojnë shkollën, të pushojnë, të luajnë pafund, të shohin programet e preferuara. Nga ana tjetër, edhe prindërit kanë qenë më të karikuar për t’iu organizuar aktivitete argëtuese, për të ndërvepruar me ta dhe për t’ua bërë më të lehtë izolimin. Me kalimin e ditëve dhe javëve, gjendja bëhet më sfiduese dhe fillojnë të shfaqen edhe pasojat të fëmijët.
Ndryshimi i sjelljes së fëmijëve është pjesa që ne shohim, por shqetësimi ka filluar më parë dhe sjellja është pasojë e një ngjarjeje të mëparshme. E thënë më thjeshtë, sjellja mund të jetë pasojë e situatës që po kalojmë dhe sidomos e izolimit.
Disa nga karakteristikat e sjelljeve sfiduese janë:
- Fëmija kundërshton shpesh prindërit dhe të rriturit e tjerë
- Fëmija nervozohet shpejt
- Fëmija ka tantrume (shpërthime inati) që zgjasin më shumë se zakonisht
- Fëmija ka sjellje që janë të vështira të disiplinohen (fëmija mund të jetë indiferent ose të ketë sjellje agresive)
- Strategjitë e zakonshme nuk funksionojnë me fëmijën
Sjelljet sfiduese mund të shfaqen tek të gjithë fëmijët me zhvillim tipik, por akoma më shumë janë persistente te fëmijët me problematika zhvillimi.
Te fëmijët që manifestojnë probleme sjelljeje vihen re zakonisht edhe disa vështirësi në:
- vetë-rregullim
- gjuhën e kuptuar
- gjuhën e shprehur
- kontrollin e emocioneve
- ndërveprimin social
Krahas sjelljeve sfiduese, disa sjellje të tjera (të lidhura me gjuhën) që janë referuar nga prindërit janë problemet e rrjedhshmërisë (belbëzimi është vënë re te disa fëmijë), përhumbja, mbyllja në vetvete.
Shkaqet e sjelljeve sfiduese
Është e rëndësishme të kuptojmë disa nga shkaqet e mundshme të sjelljeve sfiduese:
- Mungesa e aktiviteteve të mëparshme (si shkolla, kopshti, parqet)
- Mungesa e komunikimit dhe lojës me moshataret
- Mungesa e strukturave që u mundësojnë fëmijëve vetërregullimin
- Mungesa e lirisë për të dalë në ambiente publike, në natyrë apo kënde sportive
Prindërit duhet të kenë parasysh që ndryshimet në sjellje janë reagime normale të diktuara nga situata. Për këtë arsye ata nuk duhet të alarmohen, por as të dorëzohen duke përforcuar sjellje të papërshtatshme. Prindërit munden dhe duhet të krijojnë e të mbajnë një ambient të sigurt, motivues e të qetë për fëmijët e tyre.
Disa sugjerime si të menaxhojmë sjelljet sfiduese (ose t’i parandalojmë):
- Vendosja e rutinave të shëndetshme, që u mundësojnë fëmijëve gjumë të mirë, vakte të rregullta, kohë studimi, kohë argëtimi, kohë aktiviteti fizik, kohë përgjegjësish dhe angazhimi.
Është shumë e rëndësishme të ndiqet rutina, pasi fëmijët e kanë të nevojshme të dinë se çfarë do të bëjnë. Tashmë rutina ka ndryshuar dhe fëmijët po përshtaten gradualisht me rutinat e reja.
- Komunikimi i mirë është çelësi i zgjidhjes së problemeve të sjelljes.
Me fëmijët e vegjël deri në 6 vjeç këshillohet të ndiqen disa strategji komunikimi si:
- Vendosja e kontaktit me sy (ulemi në nivelin e fëmijës)
- Gjuha e thjeshtë (përdorim gjuhë të qartë dhe udhëzime specifike)
- Toni i zërit (tek fëmijët e vegjël është tepër i rëndësishëm, pasi edhe nëse fëmija nuk kupton gjuhën, ai kupton tonin).
Me fëmijët më të rritur duhet përdorur komunikimi në formë bisedash, duke marrë informacion mbi përjetimet e tyre, gjërat që i shqetësojnë apo i mërzisin.
- Mbajtja e kontakteve
Nëse ne të rriturit e vazhdojmë komunikimin me të afërmit apo miqtë në formatin online, shpesh fëmijët nuk e kanë këtë mundësi. Prindërit duhet t’ua mundësojnë fëmijëve komunikimin online me moshataret e tyre përmes video-kamerave. Kjo do t’i ndihmojë fëmijët të reduktojnë ankthin dhe të mbajnë lidhjet sociale, që iu duhen kur t’i rikthehemi normalitetit.
- Mbajtja e rregullave familjarë duhet të vazhdojë, pavarësisht situatës. Përkundrazi qëndrimi i gjatë në shtëpi, duhet rregulluar përmes rregullave, që vendosën nga prindërit. Nuk bëhen tolerime dhe prindërit duhet të jenë të vendosur për t’i mbajtur rregullat që kanë vënë, që të mos krijojnë terren për sjellje të papërshtatshme.
- Angazhimi i fëmijës është qasja më e mirë për të evituar sjelljet sfiduesë. Sa më i angazhuar të jetë fëmija, aq më pak sjellje sfiduese do të manifestoje.
Kjo kërkon impenjim nga prindërit për t’i mundësuar fëmijës të kalojë kohë cilësore, duke i krijuar aktivitetë të larmishme. Disa nga këto aktivitetë mund të jenë:
- Puna krijuese, art dhe krafte
- Aktivitetet fizike
- Muzikë dhe kërcime
- Përfshirja e fëmijëve në gatim
- Përfshirja e fëmijëve në punët e shtëpisë
- Lojëra në grup (nëse është e mundur brenda familjes)
- Leximi i librave
- Lojëra logjike
- Gara dhe aktivitete kompetitive
Këto aktivitete mund të përzgjidhen me fëmijët, duke u bazuar në moshën e tyre, interesat që kanë, etj.
- Motivimi i fëmijës është një strategji që duhet përdoruar për të nxituar sjelljet pozitive dhe për të reduktuar ato negative.
Prindërit mund të krijojnë çmime, shpërblime për të gjitha sjelljet e mira që duan të shohin më shpesh te fëmijët e tyre. Ata mund t’iu kërkojnë fëmijëve të lexojnë një tregim dhe pastaj do të mund të luajnë 30 minuta me kompjuter (shpërblimi). Një shembull tjetër do të ishte: “Në fillim do të sistemosh dhomën tënde, pastaj do t përgatisim një ëmbëlsirë” (shpërblimi). Përpos shpërblimeve, prindërit mund të aplikojnë edhe të kundërtën, duke e privuar fëmijën nga një aktivitet i preferuar, nëse shfaq sjellje kundërshtuese.
Prindërit nuk duhet të shkurajohen nga sjelljet e qëndrimet e fëmijëve, pasi duhet të kenë parasysh që nuk është aspak e lehtë për ta kjo situatë e pazakontë. Duke qenë se shkollat do jenë mbyllur deri në shtator, do të jetë një kohë sfiduese për prindërit, por do të ketë edhe benefitet e saj. Prindërit do të zbulojnë që brenda tyre kanë aftësi jo vetëm për ta përballuar këtë situatë, por edhe për t’ia dalë mrekullisht. Dhe kur e gjithë kjo situatë të ketë kaluar, ata do të ndihen më të fortë , më të sigurt dhe do të kenë vetëbesim më të lartë në aftësitë e tyre prindërore./Gazeta Mejdani/