Dhjetëra biznese tashmë janë mbyllur e qindra punëtorë kanë mbetur pa punë në Komunën e Ferizajt për shkak të situatës së krijuar nga pandemia, por edhe shkaku i kufizimeve të vazhdueshme që po i bën Qeveria.
Pas kufizimeve të fundit për mbylljen e bizneseve të gastronomisë në orën 19:00, reagoi edhe Shoqata e bizneseve në Ferizaj, me arsyetimin se Qeveria e Kosovës po i mbyll ato ende pa u miratuar ligji për rimëkëmbje, raporton KOHA.
Agon Zhinipotoku, përfaqësues i Shoqatës së gastronomëve në Ferizaj, ka thënë se për shkak të masave kufizuese bizneset detyrohen t’i largojnë punëtorët nga puna, madje dhjetëra biznese tashmë janë mbyllur e shumë të tjera janë në prag të falimentimit.
“Në Ferizaj janë largua një numër i konsiderueshëm i punëtorëve, po thuajse 30 për qind e stafit, Po flas edhe në emër të kafiterisë sonë që kemi larguar 6 punëtor prej që ka filluar pandemia dhe ka biznese që janë mbyllur në Ferizaj shkaku që nuk kanë mundur t’i mbijetojnë kushteve të pandemisë dhe ka të tillë që janë në prag të falimentimit shkaku i mungesës së përkrahjes Qeveritare”, ka deklaruar Zhinipotoku.
Ndërkohë Leona Jahiri ka pohuar se shkaku i vështirësive financiare që i ka shkaktuar pandemia është detyruar ta mbyllë lokalin në qendër të qytetit dhe ta hapë atë në shtëpi duke i larguar edhe punëtorët nga puna.
“Shpenzimet janë shumë të larta, numri i klientëve ka qenë shumë i vogël dhe për shkak të frikës nga pandemia dhe për shkak të rënies ekonomike që e kemi pasur secili në familjet tona atëherë kam vendos që ta mbylli lokalin, përkatësisht me vendos në shitje por pas një muaji nuk kam arritur me shitë dhe është dashur ta mbyllim totalisht lokalin”, ka thënë Jahiri.
Kufizimet e bizneseve po i kundërshton edhe Komuna e Ferizajt derisa një pjesë e punëtorëve po mbesin pa punë.
“Pra kemi edhe shuarje të bizneseve në komunën e Ferizajt si pasojë e gjendjes së pandemisë dhe që kujtojmë se ashpërsimi i këtyre masave do të ndikojnë edhe më shumë në humbjen e vendeve të punës, përkatësisht mbylljen e bizneseve që do të ishte një dëm i pa rikoperueshëm për ekonominë lokale të Ferizajt”, ka pohuar Albion Sherifi, zëdhënës i Komunës së Ferizajt.
Shoqata e gastronomëve në Ferizaj ka kërkuar nga Qeveria të reflektojë rreth pakos së rimëkëmbjes apo subvencionimeve të tjera për biznese.