Zakonisht përdoren nga të rriturit në udhëtime të gjata e net pa gjumë.
Pijet energjike, të cilat në vete kanë edhe sasi të lartë të kafeinës në Kosovë po përdoren edhe nga fëmijët. Prindërit dhe gjyshërit ngrenë alarmin për shitjen e këtyre produkteve në tregun kosovar.
Që pijet energjike kanë impakt negativ te fëmijët e thotë edhe pediatri Besart Merovci.
Taurina e kafeina janë përbërës kryesor te pijet energjike, të dyja këto si stimulantë shkaktojnë dëme të shumta e çrregullime në të rrahurat e zemrës. Merovci thotë që ka pasur raste të vizitës së fëmijëve në ordinancë nga dëme që konsumimi i pijeve energjike u ka shkaktuar. Pija kryesore në dietën e fëmijëve duhet të jetë uji, shton pediatri Merovci, dhe se edhe pijet e tjera jo energjike janë të dëmshme për shkak të sasive të mëdha të sheqerit që përmbajnë.
Pijet energjike në tregun në Kosovë janë nga më të ndryshmet e me çmime të lira dhe i shiten çdokujt pavarësisht moshës.
Për më tepër, një studim amerikan i botuar në revistën shkencore “Journal of Adolescent Health”, i zhvilluar nga studiuesit e Institute for Social Research te University of Michigan, ka arritur në përfundimin se kombinimi i alkoolit me pijet energjike kthehet në një rrezik të vërtetë, sidomos për studentët.
Pijet energjike filluan të shiteshin për herë të parë në vitin 1987 në Austri dhe në vitin 1997 në Amerikë. Sot njihen më shumë se 200 marka në 140 vende dhe janë të rinjtë ata që konsumojnë çdo ditë e me shumë këto pije. Të gjitha pijet energjike përmbajnë përqindje alkooli, e cila të çon deri të dehja specifikë “freskuese”, prandaj shumica prej nesh nuk e dallojmë efektin e dehjes.
Pas një kohe mund të bëhemi edhe alkoolistë. Po ashtu të gjitha pijet energjike përmbajnë stimulues të cilat maskojnë ndjenjën e dehjes. “Zbuluam se studentët e universitetit prireshin për të pirë më shumë dhe për tu dehur, kur përdornin edhe pije energjike edhe alkool, krahasuar me ditët kur përdornin vetëm alkool”, u shpreh Megan Patrick, një nga drejtuesit e studimit.Sipas studimit, studentët të cilët pinin alkool dhe pije energjike në të njëjtën ditë, kalonin më shumë kohë duke konsumuar pije alkoolike dhe shpesh përfundonin të dehur, duke bërë që niveli i alkoolit në gjak të ishte shumë i lartë.
“Kjo ndodh për shkak të stimulimit që shkaktohet nga pijet energjike, të cilat bëjnë që njerëzit të mos e kuptojnë që janë të dehur duke vijuar të pinë më tej. Pasojat janë të rënda për shëndetin, pasi njerëzit që nuk e kuptojnë se janë të dehur, vazhdojnë të abuzojnë”, theksoi Patrick. Gjithashtu pijet energjike përmbajnë kafeinë dhe mund të ndryshojnë rrahjet e zemrës.
Ndonjëherë ndihemi mirë pasi kemi pirë një të tillë por nuk kemi menduar për efektet anësore që këto pije shkaktojnë si rrahje të lartë të zemrës, dridhje, rritje të presionit të gjakut dhe në shumë raste shkaktohet pushim i zemrës.