Në një kohë kur ekonomia e Kosovës po pëson rënie si pasojë e pandemisë së shkaktuar nga COVID-19, roli i diasporës në ekonominë e Kosovës vazhdon të jetë tejet i madh.
Përveç remitencave të cilat kanë shënuar rritje gjatë pandemisë, rënie vërehet në investimet e diasporës në patundshmëri në Kosovë dhe blerje të gjësendeve për familjarët.
Instituti GAP thotë se ajo çfarë mbetet më me ndikim për ekonominë tonë, janë të hyrat nga shpenzimet që bën diaspora gjatë vizitave në Kosovë, e të cilat kanë rënë ndjeshëm.
“Para pandemisë, shpenzimet e diasporës gjatë vizitave në Kosovë llogaritej të kapnin vlerën mbi 328 milionë euro apo 4.6% të BPV-së në vit. Ndërsa këtë vit, përfitimi i ekonomisë së Kosovës pritet të jetë i vogël, rreth 0.55% deri 1.83% të BPV-së. Përveç frikës nga virusi korona, pengesë për ardhjen e diasporës gjatë verës ishin masat e ndërmarra nga Kosova dhe shtetet tjera për qytetarët që e vizitojnë Kosovën”
“Rritja drastike e numrit të të infektuarve para sezonës së verës bëri që shumë shtete në Evropë ta kualifikojnë Kosovën si një ndër vendet me rrezikshmëri të lartë të përhapjes së infeksionit. Shkurtimi i qëndrimit të diasporës në Kosovë ka pasoja të dukshme në ekonominë e Kosovës dhe i ka ndikuar negativisht sektorë të ndryshëm të ekonomisë duke filluar nga hoteleria, tregtia me pakicë, derivatet, gastronomia, etj”, thuhet në komunikatën e GAP.